Letër e hapur drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së Nga një ish-garues për pozicionin e drejtorit të RTSH-së

Letër e hapur drejtuar Këshillit Drejtues të RTSH-së
Nga një ish-garues për pozicionin e drejtorit të RTSH-së
Tiranë, më 5…06….2025
Të nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së,
z. Fatjon Hoxhalli, kryetar i Këshillit,

Unë, si një nga kandidatët që mora pjesë në garën për
pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit
Shqiptar, ndiej detyrimin qytetar dhe profesional që t’ju
drejtohem me këtë letër të hapur, për të shprehur shqetësimin
dhe indinjatën e thellë ndaj mënyrës sesi keni trajtuar ankesën
time të depozituar disa ditë më parë.

Ankesa ime, e formuluar mbi baza ligjore dhe etike, ngriti
shqetësime serioze mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës së
përzgjedhjes së drejtorit të RTSH-së. Megjithatë, ju zgjodhët të
heshtni, duke refuzuar çdo lloj përgjigjeje apo reflektimi. Kjo
sjellje nuk është thjesht mospërfillje — është shkelje flagrante e
transparencës institucionale, një mungesë totale e respektit për
konkurrencën e ndershme dhe për qytetarin.

Z. Hoxhalli, si kryetar i këtij Këshilli, keni për detyrë të garantoni
barazi, paanshmëri dhe integritet. Në vend të kësaj, keni
vendosur të heshtni, duke treguar se jeni më shumë i

përkushtuar ndaj llogarive politike sesa ndaj ligjit dhe detyrës
publike që mbani.

Ju rikujtoj se Parlamenti i ri që do të formohet shumë shpejt, ka
të drejtën dhe përgjegjësinë të shqyrtojë përbërjen dhe
funksionimin e këtij Këshilli. Dhe me gjithë këtë sjellje të
njëanshme dhe politikisht të motivuar që keni treguar deri më
sot, është mëse e mundur dhe e pritshme që të shkarkoheni
nga detyra, pikërisht sepse nuk përfaqësoni interesin publik,
por interesa të ngushta partiake.

Prandaj, kërkoj publikisht:
Ktheni përgjigje ndaj ankesave të dorëzuara ose jepni
dorëheqjen!

RTSH nuk është pronë e një force politike, dhe nuk do të lejohet
të shndërrohet në të tillë. Nëse nuk keni vullnetin të ushtroni
funksionin tuaj me përgjegjësi, atëherë është koha që të
largoheni.

Me respekt,

FLAMUR BUÇPAPAJ

Ish-garues për drejtor të RTSH-së

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top