Numri i lejeve të ndërtimit ka shënuar një rritje të fortë në tremujorin e dytë të vitit 2026, por të dhënat e publikuara nga INSTAT duhen lexuar me rezervë. Vetë Instituti i Statistikave paralajmëron se statistikat janë paraprake, pasi jo të gjitha bashkitë kanë raportuar të dhënat për këtë periudhë.
Sipas INSTAT, gjatë periudhës prill-qershor 2026 janë miratuar 460 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 352 leje në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma vjetorë, kjo përkthehet në një rritje prej 30.7%.
Edhe sipërfaqja e parashikuar për ndërtimet e reja është zgjeruar. Në tremujorin e dytë ajo arriti në 307,127 metra katrorë, nga 278,389 metra katrorë në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose 10.3% më shumë.
Megjithatë, ndërsa numri i lejeve dhe sipërfaqja janë rritur, vlera e projekteve të miratuara ka shënuar rënie. Vlera e përafërt e projekteve, ku përfshihen ndërtesat dhe punimet inxhinierike, arriti në rreth 16 miliardë lekë, nga 18.4 miliardë lekë një vit më parë, duke u tkurrur me 13.2%.

Banesat dominojnë lejet e reja
Pjesa më e madhe e lejeve të dhëna gjatë tremujorit të dytë lidhet me ndërtimet për banim. INSTAT raporton 331 leje për ndërtesa rezidente, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 183,202 metrash katrorë.
Nga këto, 132 leje janë për ndërtesa njëkatëshe, 146 për ndërtesa dykatëshe dhe 52 për ndërtesa me tre ose më shumë kate. Pikërisht kjo kategori e fundit përqendron pjesën dërrmuese të sipërfaqes së ndërtimit, me 139,248 metra katrorë.
Për ndërtesat jo-rezidente janë miratuar 129 leje, me sipërfaqe totale 123,925 metra katrorë. Brenda kësaj kategorie rezultojnë 12 leje për hotele dhe struktura të ngjashme, 4 për zyra, 15 për ndërtesa tregtare, 39 për ndërtesa industriale dhe 59 për ndërtesa të tjera.
INSTAT: Të dhënat janë paraprake, mungon raportimi nga të gjitha bashkitë
Por shifrat e tremujorit të dytë nuk japin ende një panoramë përfundimtare të aktivitetit të lejeve të ndërtimit në vend.
INSTAT e specifikon në publikim se “Statistikat e lejeve të ndërtimit për tremujorin e dytë 2026 janë paraprake, për shkak të mos raportimit të të dhënave nga të gjithë bashkitë.”
Ky sqarim është veçanërisht i rëndësishëm për interpretimin e rritjes prej 30.7% të numrit të lejeve. Përderisa raportimi nuk është i plotë, shifrat e publikuara mund të ndryshojnë me plotësimin e informacionit nga bashkitë që ende nuk kanë raportuar.
Ka edhe një kufizim tjetër metodologjik. INSTAT shpjegon se statistikat aktualisht mbështeten vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, ndërkohë që kuadri ligjor parashikon se në procesin e miratimit të lejeve mund të përfshihen edhe institucione të tjera. Për këto ente ende nuk ekziston një raportim i plotë dhe i standardizuar pranë INSTAT.
Për rrjedhojë, rritja e fortë e lejeve të ndërtimit në tremujorin e dytë sinjalizon vijimin e aktivitetit të lartë në sektor, por fotografia statistikore për T2 2026 mbetet ende e paplotë. Shifrat duhet të konsiderohen paraprake deri në plotësimin e raportimit dhe përditësimin e tyre nga INSTAT./ekofin.al