Xi Jinping i rezervoi Donald Trumpit një pritje madhështore në ditën e parë të vizitës në Pekin, në një takim që mund të riformatojë marrëdhëniet mes dy superfuqive rivale. Trump u prit me nderime ushtarake, bandë, përshëndetje nga fëmijë me flamuj amerikanë e kinezë dhe më pas me një banket zyrtar. Vetë presidenti amerikan u shfaq i kënaqur nga pritja, lavdëroi Xi-n si “një lider të madh” dhe e quajti takimin një mundësi të çmuar. Kjo ishte veçanërisht domethënëse, duke pasur parasysh se Trump e ka ndërtuar për vite të tëra profilin e tij politik duke sulmuar Kinën me tone shumë të ashpra.
Por përtej ceremonisë, në tavolinë janë çështje shumë të vështira: tregtia, Irani dhe Tajvani. Një nga pyetjet kryesore është nëse armëpushimi i brishtë tregtar mes dy vendeve do të zgjasë, apo do të zëvendësohet nga një marrëveshje e re. Kina duket se hyri në këtë samit me vetëbesim më të madh. Pekini jo vetëm që i tregoi Trumpit një spektakël të menduar deri në detaj, por i dha edhe botës një mesazh force: Kina është sot një rival i vërtetë global i SHBA-së. Sipas analistëve, ky takim po zhvillohet në një moment kur ngritja e Kinës si fuqi e barabartë me Amerikën po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Një tjetër kartë e fortë për Xi-n është Irani. Lufta në Lindjen e Mesme dhe bllokimi i Hormuzit kanë tronditur ekonominë botërore, ndërsa SHBA pritet të kërkojë ndihmën e Kinës për të shtyrë Teheranin drejt negociatave dhe për të mbajtur të hapur korridorin detar të energjisë. Kina ka marrëdhënie të ngushta me Iranin dhe mund ta përdorë këtë ndikim si levë në bisedime. Në këmbim, Pekini mund të kërkojë lëshime për Tajvanin, përfshirë vonesë ose ndalim të shitjeve të armëve amerikane për ishullin. Xi, sipas mediave shtetërore kineze, e ka paralajmëruar Trumpin se Tajvani mund të bëhet pika që i çon të dy vendet drejt konfliktit.
Nga ana tjetër, Trump e kishte fokusin edhe te biznesi. Në delegacionin e tij ndodheshin figura si Elon Musk, Tim Cook dhe Jensen Huang i Nvidia-s, një shenjë se SHBA kërkon më shumë akses për kompanitë amerikane në tregun kinez. Sipas deklaratës së parë të Shtëpisë së Bardhë, të dyja palët folën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, investimet kineze në SHBA dhe qasjen më të madhe të firmave amerikane në Kinë. Për Iranin, të dyja vendet ranë dakord vetëm në parim se Teherani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se Hormuzi duhet të mbetet i hapur.
Detajet konkrete të një marrëveshjeje ende nuk janë bërë publike dhe më shumë mund të kuptohet pas takimit të dytë të planifikuar për të premten. Trump ka nevojë për një fitore politike që mund ta shesë në SHBA, ndërsa Xi ka interes të ruajë stabilitetin me Uashingtonin në një kohë kur Kina përballet me papunësi, krizë në pasuri të paluajtshme dhe borxhe të larta lokale. Mesazhi që të dy dhanë në darkën zyrtare ishte se, pavarësisht rivalitetit, të dy vendet kanë interes të gjejnë një mënyrë për të bashkëjetuar. Trump e ftoi Xi-n në Shtëpinë e Bardhë në shtator, ndërsa Xi tha se “rilindja e madhe e kombit kinez” dhe “Make America Great Again” mund të ecin bashkë.
BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL