Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është shprehur se Brukseli, me Prishtinën dhe Beogradin, kanë përmbyllur me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Një ditë pas takimit të zhvilluar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, Lajçak i ka lëvduar ata për, siç është shprehur, bashkëpunim të mirë dhe bisedime konstruktive trelaterale.
Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Emisari evropian ka paralajmëruar se Brukseli së shpejti do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët, ndërkaq Bislimi ka thënë se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-tës.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.
Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.
Emisari evropian ka thënë se ua ka kujtuar palëve se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.
Lajçak ka thënë, po ashtu, se me Bislimin dhe Petkoviqin kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit: “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”./REL