I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takim ditën e djeshme me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Davos të Zvicrës ku ndodhen në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror 2025. Lajçak tha se me Vuçiç kanë folur rreth marrëveshjes së Ohrit, për të cilën vlerëson se ka hap rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.
“Në takimin tonë të fundit në rolin tim aktual me presidentin Aleksandar Vuçiç fola për gjendjen në dialog. Theksova se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 hapi rrugën përpara drejt normalizimit. Progresi i mëtejshëm është në interes të Serbisë, Kosovës, Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së tyre”, shkruan Lajçak.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se në kuadër të Forumit Ekonomik në Davos të Zvicrës me Lajçak ka diskutuar për të ardhmen e dialogut.
“Falënderova Përfaqësuesin Special të BE-së për bashkëpunimin e mëparshëm dhe i urova fat në karrierën e tij të ardhshme. Në të njëjtën kohë, përsërita thirrjen time për BE-në dhe shtetet anëtare për të forcuar angazhimin dhe ndikimin e tyre në Kosovë, dhe për t’i siguruar popullit serb në Kosovë të drejtën për jetë të lirë, drejtësi dhe zë”, ka shkruar Vuçiç.
Forumi Ekonomik Botëror 2025
Me misionin “Ne bashkojmë qeverinë, bizneset dhe shoqërinë civile për të përmirësuar gjendjen e botës”, këtë vit Forumi bën bashkë rreth 3000 liderë, nga mbi 130 vende, mes të cilëve, 350 liderë qeveritarë, duke përfshirë 60 kryetarë shtetesh dhe qeverish për të adresuar sfidat kryesore globale dhe rajonale.
Takimi i 55-të Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror mblidhet nën temën “Bashkëpunimi për Epokën Inteligjente”, me diskutime që fokusohen në pesë shtylla thelbësore, të ndërlidhura, me rëndësi të posaçme për një të ardhme të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të begatë.