Rrugët e Khvicha Kvaratskhelia dhe Napolit duket se janë të destinuara të ndahen. Klubi napolitan ka arritur një marrëveshje me Paris Saint-Germain për transferimin e sulmuesit gjeorgjian për një shifër prej rreth 70 milionë eurosh plus pesë milionë bonuse, të cilat mund të arrihen lehtësisht. Kvaratskhelia është gati të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare e gjysmë me një pagë prej nëntë milionë eurosh në sezon.
Shifrat duket se do të zhbllokojnë tratativat, të cilat janë rindezur në ditët e fundit pas interesit të shfaqur nga Paris Saint-Germain gjatë verës. Sipas asaj që raporton L’Equipe, Kvaratskhelia pritet të mbërrijë në Paris të mërkurën, më 15 janar. Në mëngjes është planifikuar një takim i ri midis dy klubeve për të rafinuar detajet, pas së cilës lojtari i Napolit do të marrë miratimin për të udhëtuar drejt Francës dhe për t’u nënshtruar vizitave mjekësore rutinë.
Kvaratskhelia, tifozët e Napolit e “hedhin” në plehra
Dikur të dashuruar shumë. Historia e dashurisë mes Kvaratskhelias dhe Napolit është ndërprerë papritur për shkak të kalimit të gjeorgjianit te PSG-ja. Një operacion merkatoje i nisur dhe mbyllur në pak ditë, që ka befasuar tifozët napolitanë dhe vetë trajnerin Conte. Ky i fundit, para fitores ndaj Veronës, e bëri të qartë se lojtari kishte shprehur dëshirën për t’u larguar. Në qytet ka nisur tashmë protesta kundër lojtarit, i cili deri pak ditë më parë ishte idhulli i tifozëve. Por largimi i tij ka ndryshuar gjithçka, dhe Kvaratskhelia nuk do të mbahet më mend me krenari dhe dashuri nga ish-mbështetësit e tij.
Kvaratskhelia në plehra
Folklori napolitan ka dominuar protestën kundër lojtarit gjeorgjian, tashmë pjesë e PSG-së. Në rrjetet sociale janë të shumta postimet kundër sulmuesit anësor, si dhe video dhe foto të fanellave të hedhura. Por protesta më simbolike është ajo e një tifozi që hodhi në kosh një poster kartoni të lojtarit.
Videoja e këtij gjesti është bërë virale midis tifozëve napolitanë: “Ke firmosur për PSG-në dhe sot në mëngjes kjo ishte mendimi im i parë. Shiko sa mirë dukesh këtu”. Bashkëngjitur videos ishte imazhi i posterit të hedhur në plehra. Në Napoli nuk e kanë pritur mirë këtë largim.