Kuvendi i kërkon BSH-së të forcojë kreditë për ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme

Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë të forcojë monitorimin e kredive ndaj sektorit të ndërtimit dhe projekteve të mbështetura me pasuri të paluajtshme. Në rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2024 dhe rekomandimet për punën e institucionet në vazhdimësi, Kuvendi kërkon gjithashtu që të forcohet mbikëqyrja për sa i takon ekspozimit të sistemit bankar ndaj kredimarrësve të mëdhenj dhe të diversifikohet portofoli i kredive, me qëllim zbutjen e përqendrimit në sektor dhe në territor, duke rritur kapacitetin e bankave në mënyrë që sistemi bankar të ruajë kapitalizimin dhe qëndrueshmërinë edhe në raste të vështirësive të huamarrësve kryesorë, si dhe garantimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Që prej 1 korrikut të këtij viti, kanë hyrë në fuqi kufizimet e vendosura nga Banka e Shqipërisë mbi disa kritere të administrimit të rrezikut, konkretisht për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” (përqindja e çmimit të blerjes së banesës që banka merr përsipër të financojë nëpërmjet kredisë) dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave” (raportin mes këstit ose kësteve të kredisë për prona ndaj të ardhurave të huamarrësve). Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lekë nuk duhet të jetë më shumë se 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lekë kufizohet në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan parashikohet 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë. Sipas Bankës së Shqipërisë, zbatimi i këtyre kufijve do të mundësojë uljen e rrezikut të dështimit të huamarrësve dhe pakësimin e humbjeve bankare të lidhura me këto kredi, si pasojë e zhvillimeve eventuale të pafavorshme në çmimet e pronave të paluajtshme ose në kuadrin makroekonomik të vendit.

Në muajt e fundit, raporti i kredive me probleme po shënon një tendencë të lehtë në rritje dhe në shtator arriti pranë nivelit të 4.4%, më i larti në 10 muajt e fundit. Kuvendi ka kërkuar gjithashtu nga Banka e Shqipërisë të adoptojë një qasje të matur dhe të kujdesshme ndaj ndërhyrjeve në tregun valutor, duke i kufizuar ato në raste të nevojshme dhe të justifikuara nga rrethanat e tregut, në mënyrë që të forcohet funksioni i kursit të këmbimit si një mekanizëm vetërregullues i ekonomisë, i cili ndihmon në zbutjen e goditjeve të jashtme, ruajtjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e një ekuilibri të qëndrueshëm makroekonomik.

Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 933 milionë euro, ndërsa sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko në Kuvendin e Shqipërisë, për nëntë muajt e parë të këtij vitit blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro. Këto shifra tregojnë qartë për ofertën e lartë të Euros në tregun valutor. Në mungesë të blerjeve të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit të monedhës europiane do të ishte në nivele edhe më të ulëta. Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë e ka ngadalësuar ndjeshëm rënien e kursit të këmbimit Euro-Lek. Aktualisht, rënia vjetore e kursit është pranë nivelit të 2%.

Kuvendi i kërkon gjithashtu Bankës së Shqipërisë të forcojë mbikëqyrjen ndaj institucioneve financiare jobanka, për të synuar zbatimin e plotë të ndryshimeve rregullatore të miratuara gjatë vitit të kaluar, për të përmirësuar cilësinë e portofolit të kredive dhe mbrojtjen e kredimarrësve. Gjithashtu, Bankës Qendrore i kërkohet të shtojë mbikëqyrje të vazhdueshme mbi aktivitetin e zyrave të këmbimit valutor, specifikisht për plotësimin e kërkesave të reja rregullatore, me synim garantimin e integritetit dhe transparencës së sistemit financiar.

Nga Banka e Shqipërisë kërkohet edhe harmonizimi dhe përditësimi në vijimësi i planeve për reagimin ndaj sulmeve kibernetike në sektorin bankar dhe në sistemet e pagesave të operuara prej saj, si dhe angazhimi në vazhdimësi për realizimin e testimeve të sigurisë për çdo bankë sistemike./Monitor.al

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top