Kuvend/ Miratohet me 81 vota pro buxheti 8.8 mld euro

Pas një seance maratonë që përfundoi pas mesnatës, Kuvendi miratoi buxhetin e vitit 2026 me 81 vota pro dhe 16 kundër. Paketa financiare prej 8.8 miliardë eurosh u shqyrtua nen për nen dhe u votua së bashku me tetë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale.

Buxheti parashikon bonus mujor për pensionistët duke filluar nga janari, rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë dhe indeksim 2.5% të pagave në administratën publike. Investimet publike arrijnë në rreth 1.8 miliardë euro, të fokusuara te projektet infrastrukturore në vijim dhe nisja e disa të rejave.

Me 75 vota pro u aprovua edhe projektligji për Marrëveshjen Fiskale, ndërsa ndryshimi i kërkuar nga Erion Braçe për deklarimin e burimit të fondeve të kompanive u hoq gjatë shqyrtimit.

Projektligji për TVSH-në në bujqësi u miratua pa asnjë amendim, me 80 vota pro dhe 25 kundër. Kompensimi 10% mbetet vetëm për fermerët me NIPT, nga të cilët aktualisht përfitojnë rreth 11 mijë prej 111 mijë gjithsej.

Pa ndryshime kaloi edhe projektligji për procedurat tatimore, që ul kufirin e pagesave cash midis bizneseve në 100 mijë lekë dhe vendos tavan 500 mijë lekë për individët.

Ligji për taksat vendore mori 81 vota pro dhe parashikon përjashtimin e investimeve dhe ndërtimeve publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Ndryshimet në ligjin për faturimin u aprovuan me 81 vota pro, ndërsa me 84 vota pro u miratuan lehtësitë e reja në tatimin mbi të ardhurat, që favorizojnë sponsorizimet sportive dhe veprimtaritë e kërkimit dhe zhvillimit.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top