Kuvendi zhvillon sot seancë plenare ku në rend të ditës është planifikuar një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, kërkuar nga deputeti Asllan Dogjani.
Në këtë seancën pritet shkarkimi i Këshillit Drejtues të RTSH, me në krye Leka Bungon dhe 9 anëtarët e saj, Ilir Kekos, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reci. Zv.kryetari Gëzim Podgorica dhe anëtari Genc Përmeti kanë dhënë vetë dorëheqjen.
I gjithë ky proces nisi pas shkeljeve në garën për drejtor të Përgjithshëm të Radio televizionit Publik Shqiptar, tashmë të pezulluar. Ato nxorën në pah një sërë abuzimesh të Këshillit drejtues të RTSH-së, nga fondet e deri te konflikti i interesit. Opozita dhe mazhoranca pritet të votojnë pro shkarkimit të tyre.
Po ashtu, në rend dite është futur edhe përzgjedhja e Avokatit të Popullit, procesi i ngelur peng i dialogut politik që nga qershori i vitit 2023. Kuvendi do të shqyrtojë edhe dy projektvendime për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.