Sot deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mblidhen në seancën e radhës parlamentare. Në rend dite është parashikuar zhvillimi i dy interpelancave me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Një prej tyre është kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho lidhur me sigurinë nëpër shkolla, referuar ngjarjeve të rënda ku të mitur kanë humbur jetën si pasojë e përleshjeve më bashkëmoshatarët. E ngjashme është dhe kërkesa e Kaprit, i cili kërkon nga ministrja shpjegime mbi masat që qeveria ka marrë për prezencën e dhunës në shkolla.
Deputeti i PS Erion Braçe ka kërkuar zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me ministren e Shëndetësisë Evis Sala. Braçe kërkon shpjegime mbi mosfunksionimin e plotë të shërbimit për qytetarët të qendrës shëndetësore në rrugën Irfan Tomini.
Një sërë projektligjesh do të kalojnë për votim, për shtesa në ligjin “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë”, për ndryshime “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, e të tjerë projektvendime.
Ndërkohë klima politike pritet të jetë e tensionuar pas zhvillimit të protestës së Partisë Demokratike dy ditë më parë. Debate pritet të ketë dhe për çështjen e Belinda Ballukut, për të cilën Rama tha se tashmë nuk ka më urgjencë për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin, pasi shprehja e Gjykatës Kushtetuese la në fuqi perzullimin e saj nga detyra.
Rendi i ditës:
Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 12.2.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 27.1.2026 dhe 3.2.2026.
2. Njoftime.
4. Interpelancë me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
3. Interpelancë me Ministrin e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.
5. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Evis Sala, kërkuar nga deputeti Erion Braçe.
6. Projektligji “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.
7. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
8. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin e vlerës së shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
9. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”
10. Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, që rekrutohet për përpunimin e materialeve zgjedhore, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
11. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 65/2025 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.
12. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.