Kushti i Shehajt për kandidat jo-partiak, PD dhe Mundësia drejt negociatave

Agron Shehaj deklaroi se Partia Mundësia do të ulet në tryezë me Partinë Demokratike me qëllim negociimin për të dalë me një kandidat opozitar për zgjedhjet që pritet të mbahen në Bashkinë Tiranë.

Sipas Shehajt, Partia Mundësia do të zhvillojë hapin e parë të negociatave me Partinë Demokratike në orët në vijim në lidhje me kandidaturën që opozita duhet të dërgojë përballë kandidates së PS, në një garë që ai theksoi se është i bindur që mund të fitohet përballë mazhorancës.

Mbetet për tu parë produkti i këtyre negociatave, pasi Shehaj prej muajsh ka deklaruar se nuk lëviz nga kushti se Mundësia vendos të mbështesë një kandidat të përbashkët për Tiranën, vetëm nëse nuk është anëtar i një prej partive politike.

“Unë jam i bindur që jashtë partive politike ka kandidatë shumë të mirë që mund të fitojnë. Absolutisht mund të fitojnë, nuk është e lehtë, por mund të fitojnë. Unë jam i bindur që ka gjithmonë një zgjidhje, thjesht duhet të gjesh mënyrën për të dalë me një kandidat, do thosha edhe të jashtëzakonshëm, që qytetarët nuk presin, që bën një kontrast shumë të madh me kandidaten e PS dhe jam i bindur që mund të jetë një garë që dhe mund ta fitojmë.

Propozimi i Partisë Mundësia ka qenë për një kandidat jashtë partive politike, që do të thotë mos të jenë të asnjë partie politike, as të PD as të Partisë Mundësia, të asnjë partie politike” – tha Shehaj në një intervistë për “Shqipëria Live” në Top Channel.

Shehaj konfirmoi se përfaqësues të PD-së dhe Mundësisë do të ulen ditën e sotme në tryeze për të biseduar.

“Pas pak orësh, përfaqësues të Partisë Mundësia do të takohen me grupin përfaqësues të Partisë Demokratike për të diskutuar mbi mundësinë e daljes me një kandidat” – u shpreh Shehaj, ndërsa theksoi se Mundësia futet në bisedime me një kusht.

“Kështu që në këto kushte ne duhet të gjejmë një kandidat të jashtëzakonshëm që duhet të veprojë ndryshe nga sa ka vepruar opozita në këto 12 vjet sepse po vepruam në këtë mënyrë do korrim të njëjtin rezultat. Ky është qëndrimi ynë, emrat që ne do propozojmë janë emra që janë jashtë partive politike, nuk janë kandidatë as të Partisë Mundësia as të PD e të asnjë partie tjetër opozitare. Jemi në kushte të jashtëzakonshme dhe duhet një zgjidhje e jashtëzakonshme!” – u shpreh Shehaj.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top