Kurti takon O’Brien në Davos: SHBA-të janë aleate dhe mike të çmuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të martën me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në margjina të Forumit Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicës.

Përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – Kurti ka thënë se O’Brien e ka vlerësuar përparimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës, dhe ka diskutuar për përmbajtjen e Kosovës “përballë sulmeve dhe provokimeve”.

“Shtetet e Bashkuara janë aleate dhe mike të çmuara”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Po të martën, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka zhvilluar takime me O’Brienin, dhe se SHBA-ja me BE-në janë në të njëjtën linjë sa i përket Ballkanit Perëndimor.

Përveç Kurtit, në Davos po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ende nuk dihet nëse do të ketë një takim Kurti – Vuçiq në margjina të forumit. Një ditë më herët, Lajçak është takuar në Davos me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel. Në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, por sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë marrë hapa në atë drejtim.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë nisur procesin e dialogut, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve, qysh më 2011. Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Marrë nga REL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top