Kryeministri Kurti tha se ai dhe partia në pushtet, mbrëmë më 27 prill, nuk e kishin pasur të qartë në cilën ditë ishte afati i fundit kur Presidenti duhej të zgjidhej sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se ka qenë në vazhdimësi në komunikim me partitë opozitare.
“Problemi ështe që nuk marrim përgjigje”, tha ai.
“Ne nuk e kishim të qartë edhe cili ishte afati i fundit, të them të drejtën. Ne duhej që sa më shpejt të vepronim”, shtoi ai.
Megjithatë, ai tha se rreth orës 21, më 27 prill, i ka shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, por nuk ka marrë përgjigje.
Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë Kuvendit të Kosovës afat prej 34 ditësh për të zgjedhur Presidentin. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.