Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar qytetarët për Pavarësinë e Kosovës ndërsa theksoi se Kosova po rritet. Kurti theksoi se me rritjen e viteve të pavarësisë po rriten edhe njohjet e shtetit të Kosovës.
Ai shtoi se sot festojnë edhe rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura të cilat kulmuan me luftën e UÇK-së.
“Kosova po rritet. Po rritet numri i viteve të pavarësisë, numri i njohjeve të shtetësisë, ekonomia e vendit, po rritet mirëqenia e qytetarëve e fuqia e shtetit.
Para 18 vjetëve lindi Pavarësia e Kosovës, por lindi e pjekur sepse shumë breza të veprimtarëve, mbarë populli ynë me gjenerata kanë punuar, kontribuar e sakrifikuar që ne të jemi të lirë e të pavarur.
Sot festojmë dhe njëkohësisht nderojmë rezistencën paqësore, kryengritjet e armatosura të cilat kulmuan me luftën e drejtë të UÇK-së. Gëzuar pavarësia dhe kremtofshim të gjithë bashkë për jetë e mot”, u shpreh Kurti.