Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas dështimit të 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kurti u shpreh se Kuvendin nuk e konstituon fituesi por të gjithë, ndryshe nga formimi i Qeverisë, që e sheh si përgjegjësi të partisë së tij Vetëvendosje.
“Kosova ka qeveri në detyrë, unë jam kryeministër në detyrë. Ajo që i ndihmon Kosovës është Kuvendi i ri i Republikës. Kuvendin nuk e konstituon fituesi, por të gjithë. Si fitues të zgjedhjeve me 48 deputetë dhe me 9 deputetë të pakicave që na janë bashkuar, e kemi përgjegjësinë për ta formuar qeverinë.
Pra, fituesi e ka përgjegjësinë për formimin e qeverisë. Ndërkaq, për ta konstituuar Kuvendin, përgjegjësinë e kanë të gjithë deputetët dhe po bëjnë gabim që po e pamundësojnë kuorumin për votimin e fshehtë”.
Ai theksoi se çështja e votimit të fshehtë tashmë është adresuar në Gjykatën Kushtetuese dhe shpreson për një përgjigje sa më të shpejtë nga ana e tyre. Kurti u pyet nga gazetarët edhe për aksionin në Ministrinë e Bujqësisë, por ai nuk dha asnjë përgjigje.
Tentimi i 22-të për formimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa rezultat. Në seancë morën pjesë 109 deputetë, nga të cilët 54 deputetë votuan për krijimin e komisionit për votim të fshehtë, një kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, procesi nuk u finalizua. Pas përfundimit të votimit kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi ndërprerjen e saj, duke caktuar vazhdimin më 29 maj në orën 11:00.
Çështja e votimit të fshehtë që u propozua më 1 maj nga Dehari është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë. Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, e cila nuk po gjen mbështetje nga partitë tjera.
Këto parti i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të ndërrojë kandidaten dhe në vend të Haxhiut të kandidohet “një figurë konsensuale”.Në deklarimet pas seancës së kaluar, përfaqësues të partive politike bënë me dije se qëndrimi i tyre nuk do të ndryshojë. Ngërçi politik në Kuvend vazhdon që nga 15 prilli.