Kurti: Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik e psikologjik që i shkaktoi lufta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se edhe 24 vjet pas luftës, Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ia ka shkaktuar lufta e fundit.

Ai i ka bërë këto deklarata në takimin e parë zyrtar të hapur lidhur me Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, që pritet të funksionalizohet shpejt.

Në luftën e fundit në Kosovë, forcat serbe kanë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe mbi 6.000 vazhdojnë të jenë të zhdukur.

“Askush nuk duhet të pretendojë se lehtësisht do t’i zgjidhim të gjitha problemet që janë shkaktuar që 24 vjet. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë. Njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem, gjeneratat besa po vdesin çdo ditë, dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës. Ky është një rrezik i madh, i cili na kanoset, e të cilin nuk guxojmë ta lejojmë të ndodhë”.

Kurti ka thënë se Kosovës i janë shkaktuar dëme shkatërruese, që ende nuk janë matur. “Edhe sot, 24 vjet pas luftës, nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte, se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit tonë. Situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak për këto vite”.

Teksa e ka prezantuar punën e Institutit, Kurti ka thënë se ai do ta ketë linjën e vet buxhetore dhe ekspertë të fushës.

“Paqja kërko drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja”, ka thënë mes tjerash Kurti.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top