Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur sërish kritika për punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës në ndjekjen penale dhe gjykimin e kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës “mund të numërohen në gishta”. Sipas tij, Prokuroria Speciale duhet të jetë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë. Më tej, shprehet se Gjykimi dhe dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë e obligim.
POSTIMI I PLOTË:
Janë bërë pesë vjet prej kur institucioneve tona të drejtësisë u është mundësuar ndjekja penale dhe gjykimi i kriminelëve të luftës edhe në mungesë të tyre. Pesë vjet nga politika shtetërore që sjellë mundësi më të shpejtë për drejtësi. Pesë vjet nga thirrjet e para për të shfrytëzuar aparaturën shtetërore në dispozicion për të ngritur aktakuza kundër kriminelëve e krimeve të tyre monstruoze kundër popullit tonë. Pesë vjet pa rezultat.
25 vjet pas luftës, pa drejtësi për viktimat. Prokuroria speciale duhet të jëtë më aktive e efikase që të sjellë kriminelët para drejtësisë. Aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës mund të numërohen në gishta. Në përpjekjet tona për drejtësi për viktimat e luftës së viteve 1998-1999, adresimi i krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë duhet të jetë prioritet. Nga të gjitha masakrat ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat Prokuroria do të duhej t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Republikës dhe popullit i duhen prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur, të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës.
Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht e shumë prej tyre njihen nga të mbjetuarit e nga familjarët e viktimave. Andaj, bëjmë thirrje sërish që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Qeveria ka rritur buxhetin, andaj bëjmë thirrje që Këshilli Prokurorial urgjentisht të rrisë kapacitetet për adresim të krimeve të luftës.
Gjykimi e dënimi i kriminelëve të luftës është detyrë e obligim. Për vuajtjet e së kaluarës dhe shpresën për të ardhmen. Për sakrificën e atyre që i humbëm në luftë dhe për brezat që po rriten në liri.