“Kur vij dhe luaj me fanellën e Shqipërisë, është objektivi im që të jap maksimumin, derisa të kem fuqi”. Elseid Hysaj ka bërë një tjetër ndeshje positive në humbjen 0-1 me Izraelin, por nervat ende nuk e kanë lëshuar pas përplasjes me autorin e golit Gloukh. Gjesti i izraelitit ndaj tifozëve e ka nxjerrë nga vetja mbrojtësin Shkodran, që ka treguar ndjesitë e momentit: “Futbolli kështu është. Unë nuk kam qejf të bëj skema, por kur pashë lojtarin që u tha tifozëve ‘rrini urtë tani’, është momenti që një lojtar mund ta humbë. Kërkoj falje, shyqyr që nuk ndodhi asgjë e rëndë”.
Në lidhje me debutimin humbës të Maran, Hysaj merr kohë për të bërë vlerësimin, por ka parë gjëra positive: “Është një trajner i ri, ka ide të reja. Me kohën do të sistemohemi, do kohë që të rregullohet gjërat e reja. Është një trajner shumë pozitiv. Kjo lojë është më sulmuese që ajo që kemi bërë përpara. Të punojmë që të jemi më lart”.
Kontrata me Lazion ka përfunduar dhe për mbrojtësin do të nis një aventurë e re, ndoshta me shumë më tepër mundësi se në klubin bardhekaltër: “Unë jam pa kontratë. Kam folur me menaxherin tim, po punojmë. Unë akoma nuk di asgjë akoma”, tha Hysaj.
Sherri: “Kur luan për kombëtaren lëvizin këmbët vetë”
“Duke marrë parasysh edhe situatën që vij nga një sezon që jam aktivizuar shumë pak. Nuk e prisja të them të drejtën të luaja mirë sot. U mundova të jap maksimumin. Nuk ke nevojë për motiv kur luan për Kombëtaren, unë e provoj për herë të parë sot”. Alen Sherri ishte një nga notat positive të humbjes së sotme në miqësoren me Izraelin. Portieri i Cagliari-t ishte shpëtimtar në dy momente me pritjet e tij, pavarësisht se nuk lunate prej një kohe të gjatë për shkak dëmtimi. “Kur luan me Kombëtaren është një ndjesi që të ecin këmbët vetë, është ndjesi komplet tjetër. Më vjen mirë për paraqitjen, por keq për rezultatin”.
Sherri pastaj tregoi edhe një prapaskenë familjare, për të ilustruar emocionet e tij: “Nëna e mori vesh e para që jam titullar. Është pak problem edhe kur ia them edhe kur s’ia them, ka emocione shumë. Sot i thashë rri e qetë. Ndihet krenare si çdo prind për fëmijën e vet. Është e rëndësishme për familjen tonë, e kam pritur shumë gjatë të them të drejtën. Jam shumë krenar që më ndodhi para familjes time, prindërve dhe djalit tim. Kjo më bën të lumtur”, tha Sherri.
Mehmeti qan rastin e humbur: “Në Angli do ta kisha shënuar”
“Kemi bërë ndeshje shumë të mirë. Nuk e di çfarë ndodhi te rasi i humbur, në Angli do e kisha bërë gol patjetër. Kur e dha krosimin Hysaj, nuk e pashë. Duhet ta kisha goditur me kokë”. Anis Mehmeti nuk arrin ta shijojë ndeshjen si titular me kombëtaren pas një kohe të gjatë, sepse në mendje ka ende mundësinë e humbur kundër Izraelit që mund të ndryshonte ndeshjen. Me rezultatin 0-0 lojtari i Ipswich Town goditi mbi traversë i vetëm në qendër të zonës.
Pozicioni i preferuar i Mehmetit është sulmues i dytë ose në krahun e majtë dhe tani ai është gati ta tregojë veten edhe në Premier League: “Jam gati, kam punuar për këtë momet. Është ëndërr të luaj në Premier League, jam gati. Vazhdimësia te Kombëtarja? Me trajenri e ri kame ecur mirë. Sot e fillova në formacionin bazë, shpresoj të vazhdojmë”, u shpreh Mehmeti.
Asllani elozhe për Maran: “Fillimi ka qenë shumë pozitiv”
“Fillimi me trajnerin Maran ka qenë shumë pozitiv. Kemi provuar me presingun e lartë. Në pjesë e dytë kemi punuar me një kundra një, por pësuam gol”. Kristjan Asllani nuk ka shkëlqyer, por është munduar të bëjë pjesën e tij në miqësoren e humbur 0-1 me Izraelin. Mesfushori ka bindjen se gjërat do të përmirësohen, ndërsa ka folur edhe për momentin e tij te Besiktas: “Të gjithë çunat janë gati, ekipi është stërvitur mirë. Tani presim ndeshjen e radhës. E ardhmja? Nuk e di. Të shohim. Besiktas ka të drejtën e blerjes së kartonit tim. Jam gjendur shumë mirë, shpresoj të rri aty”.