Kur do ta dimë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA?

Në 25 vitet e fundit amerikanët shpesh kanë qëndruar deri vonë duke pritur për rezultatet e zgjedhjeve, me disa gara të ngushta që kanë mbetur në histori, si rinumërimi i Floridas në vitin 2000, që nxorri Xhorxh Bushin fitues përballë Al Gore.

Por, këto zgjedhje është pothuajse e pamundur që ne të njohim fituesin e garës presidenciale në natën e zgjedhjeve (ose mëngjesin e të mërkurës për kontinentin europian), pasi Kamala Harris dhe Donald Trump janë praktikisht të barabartë në sondazhe, dhe shanset janë të mëdha që gara të mbesë për tu ndarë tek një numër i vogël shtetesh historikisht të paparashikueshme në rezultat, ku mund të kërkohet edhe rinumërim.

Në këto shtete ka edhe procese komplekse votimi me postë, si Arizona, Pensilvania dhe Wisconsin. Megjithatë, nëse Harris ose Trump fitojnë disa shtete kyçe me diferencë të dukshme, mund të jetë e mjaftueshme për të parashikuar herët një fitore.

Pse organizatat e lajmeve të SHBA-së deklarojnë fituesin para shpalljes zyrtare?
Organizatat e lajmeve nuk përcaktojnë fituesit, por shpallin rezultatet e parashikuara bazuar në numërimin e votave. Mediat kryesore përdorin modele statistikore për të vendosur momentin kur epërsia e një kandidati është mjaft vendimtare për të bërë një shpallje paraprake. Për shembull, Associated Press pret për atë që quan “siguri absolute” përpara se të shpallë rezultatin në një shtet amerikan.

Çdo rrjet kryesor ka një “tavolinë vendimi” për të analizuar të dhënat dhe për të bërë parashikime. Janë analistët ata i bëjnë këto shpallje, jo drejtuesit e televizionit apo spikerat, sado të famshëm dhe me autoritet publik të jenë ata.

Kur i mësuam rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020?
Në vitin 2020, fitorja e Joe Biden u shpall katër ditë pas zgjedhjeve. Disa nga shtetet e paparashikueshme u shpallën menjëherë pas mbylljes së votimit, ndërsa të tjera, si Arizona dhe Xhorxhia, u deshën ditë apo edhe javë për shkak të rinumërimit ose përpunimit të vonuar të votave.

Çfarë të presim për këto zgjedhje
Nesë ka një mundësi që të kemi një rezultat të shpejtë në këto zgjedhje, është nëse diferenca në vota për njërin prej kandidatëve kalon 0.5%. Disa shtete, si Arizona dhe Michigan, tani lejojnë që fletëvotimet me postë të numërohen më herët, gjë që mund të përshpejtojë daljen e rezultateve. Megjithatë, rinumërimet mund të vonojnë parashikimet ose shpalljet nga mediat amerikane.

“Mirazhi i kuq dhe zhvendosja blu”
“Mirazhi i kuq dhe zhvendosja blu” përshkruajnë një model votimi ku republikanët shpesh duket se kryesojnë fillimisht, për shkak të numërimit të hershëm të votave që janë hedhur fizikisht në kuti. Ndërsa fletëvotimet me postë, që përgjithësisht janë në favor të demokratëve, numërohen më vonë.

Megjithatë, duhet patur parasysh se kjo prirje mund të ndryshojë në këto zgjedhje.

Kur do ta dimë se kush e merr shumicën në Kongres?
Garat individuale të Kongresit do të shpallen ndërsa numërohen votat (me të njëjtin standard si për Presidentin), por me 435 gara në të gjithë vendin, disa do të jenë shumë afër për tu shpallur natën e zgjedhjeve. Në varësi të numrit, mund të mos jetë e qartë për ca kohë se cila parti kontrollon Kongresin. Garat e ngushta ose rinumërimet mund të vonojnë rezultatet përfundimtare.

Përgatiti ©LAPSI.AL

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top