Janë kompletuar 6 ndeshjet e para të 1/8 të Kupës së Shqipërisë, me skuadrat e para tashmë të kualifikuara, në pritje të dy të fundit që do të mësohen pak më vonë. Tirana nuk mund të gabonte dy herë ndaj Korabit, duke e likuiduar 3-0. Fiton me përmbysje 3-1 edhe Partizani, që i gëzohet më shumë se fitores golit të parë të të rikthyerit Skuka. Asnjë problem për Egnatian, e suksesshme 2-0 ndaj Lushnjes, ndërsa Laçi nxjerr nga kompeticioni Dinamon, që dënohet nga blerja më e rëndësishme e janarit, Janku që shënoi autogol. Kualifikohet edhe Erzeni e Kukësi, që mposhtin dy pretendentët për tu ngjitur në Superiore nga Kategoria e Parë.
KALOJNË PA PROBLEME FAVORITËT
Tirana hakmerret me Korabin, që në 2020-ën e eliminuan në mënyrë të bujshme në Kupë. Këtë herë Ahmataj nuk donte surpriza dhe bardheblutë rrëmbyen një 3-0 pa vuajtje ndaj Korabit duke pritur tashmë kundërshtarin e turit çerekfinal. Golin e parë për bardheblutë e shënoi mbrojtësi Bruno Lulaj në minutën e 28-të, 11 minuta më pas është radha e Liridon Latifit që shënon dhe dyfishon shifrat dhe 45 minutat e para mbyllen me rezultatin 2-0 për Tiranën. Pjesa e dytë nisi sërish me golin e Hoxhallarit që trefishoi rezultatin duke mbyllur historinë e ndeshjes.
Partizani u tremb disi në golin e portierit Harizi, por rikuperuan, përmbysën dhe për më tepër shijojnë atë cfarë mund të bëjë Skuka, në golin e parë pas rikthimit i kuq. Të parët që kaluan në avantazh ishin fierakët me golin e portierit Harizaj me penallti. Skuka sidoqoftë nuk i lejoi festime të gjatë, sepse barazoi me një goditje me të djathtën. Hadroj pastaj kompletoi përmbysjen në minutën e 65′ me penalltinën e dytë të ndeshjes. Sfida u vulos në minutën e 87′ nga Mensah.
Asnjë problem për Egnatian, që mposhti 2-0 Lushnjen, duke arritur në çerekfinale të Kupës. Për rrogozhinasit zhbllokoi ndeshjen Fernando në minutën e 45′ dhe siguroi rezultatin Gjata në minutën e 83′.
Dinamo fluturon nga Kupa e Shqipërisë të mundur me rezultatin 1-0 në Laç. Kurbinasit falë autogolit të mbrojtësit të ri të bluve Stivjan Janku, shkojnë në çerekfinalen e Kupës. Kukësi ia del të kualifikohet in-extremis, me golin e Rashitit, që fundos Elbasanin. Erzeni vazhdon në Kupë pas fitores 2-1 ndaj Bylisit. Kahrimanovic zhbllokoi ndeshjen në minutën e 23; me penallti, Mihana siguroi rezultatin 5 minuta më pas, duke e bërë të kotë golin e nderit të Kibe në të 75′
REZULTATET
Partizani – Apolonia 3-1
57′ Skuka, 65′ Hadroj (P), 87′ Mensah/ 55′ Harizaj
Tirana -Korabi 3-0
Lulaj 28′, Latifi 39′, Hoxhallari 47′
Laçi – Dinamo 1-0
53′ Janku (auto)
Egnatia – Lushnja 2-0
Fernando 45′, Gjata 83′
Erzeni – Bylis 2-1
Kahrimanoviç 23′ (11-m), Mihana 28’/ Kibe 75′
Kukësi – Elbasani 1-0
Rashiti 90′