Kupa, dy penallti e kartoni i kuq ndalin Vllazninë: Dinamo shpëton në minutën e 101′

Dinamo dhe Vllaznia kanë lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, pas barazimit 1-1 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë në Air Albania Stadium. Dy penallti nga të cilat Bregu realizoi vetëm atë të minutës së 101’ dhe një karton i kuq i hoqën fitoren Vllaznisë, që kishte kaluar në avantazh me Bismark.

Ishte një sfidë me tension, polemika dhe shumë episode të diskutueshme, ku protagonisti kryesor nuk ishte vetëm fusha, por edhe VAR-i. Në disa raste, vendimet e gjyqtarit kryesor Andi Koçi u ndryshuan pas komunikimit me arbitrin e VAR-it, Juxhin Xhaja. Në pjesën e parë, Vllaznia mendoi se kishte fituar një penallti, por pas rishikimit të pamjeve vendimi u anulua. Megjithatë, shkodranët nuk u ndalën dhe gjetën avantazhin në minutën e 43′, kur Bismark shfrytëzoi asistin e Kevin Dodaj për të dërguar topin në rrjetë.

Me nisjen e pjesës së dytë, radha ishte e Dinamos për të fituar një penallti. Dejvi Bregu mori përsipër ekzekutimin, por u ndal nga portieri Jukaj, i cili mbajti në avantazh Vllazninë. Mundësi e shpenzuar nga vlonjati, por që nuk i hoqi shpresat e skuadrës së Ilir Dajës për të evituar humbjen.

Lexo më tej: Kupa/ Sota nuk mjafton, 1-1 Egnatia-Elbasani: 7 minuta në VAR për golin e Ze Gomes
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini mendoi se kishte gjetur edhe golin e dytë në minutën e 73′ me Kevin Dodaj, por edhe këtë herë VAR ndërhyri, duke evidentuar një pozicion jashtë loje të Erdenis Gurishta në nisjen e aksionit. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një fitoreje minimale të Vllaznisë, minutat shtesë sollën kthesën dramatike të ndeshjes. Fillimisht, në minutën e 93′, Erdenis Gurishta u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Faton Neziri. Pak çaste më vonë, një tjetër episod i rishikuar në VAR solli penalltinë e dytë për Dinamon. Këtë herë Dejvi Bregu nuk gaboi, duke mposhtur portierin në minutën e 101′ dhe duke vulosur barazimin 1-1.

Një rezultat që lë të hapur çdo skenar për ndeshjen e kthimit, aty ku Dinamo do të kërkojë të shfrytëzojë momentin psikologjik të minutave të fundit, ndërsa Vllaznia do të tentojë të mbrojë avantazhin moral të një skuadre që për pjesën më të madhe të ndeshjes ishte më pranë fitores.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top