Dy sfida çerekfinale përcaktuan gjysmëfinalistet në Kupën e Shqipërisë, me Dinamo City dhe Egnatia që prenë biletën për turin tjetër.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Në “Air Albania”, Dinamo e Ilir Dajës konfirmoi epërsinë ndaj Tiranës, duke fituar sërish me rezultatin 2-0, si në takimin e parë. Ndeshja nuk pati shumë histori. Blutë e kontrolluan lojën që në minutat e para, duke mos i lënë hapësira kundërshtarit për të krijuar rrezik real.
Goli i parë erdhi pas një aksioni të ndërtuar bukur në krah, ku Neziri u tregua i saktë përpara portës. Më pas ishte Guindo që vulosi kualifikimin me një finalizim të qetë, duke shuar çdo shpresë të bardhebluve për rikthim. Skuadra e Orges Shehit u përpoq të rrisë ritmin në pjesën e dytë, por pa arritur të vendosë në vështirësi serioze prapavijën dinamovite. Me këtë eliminim, Tirana humbet mundësinë për të siguruar Europën përmes Kupës dhe tashmë do të përqendrohet plotësisht te kampionati. Nga ana tjetër Dinamo pret me optimizëm shortin e fazës gjysmëfinale.
Egnatia kalon me menaxhim dhe qetësi
Në çiftin tjetër, Egnatia Rrogozhinë administroi me kujdes avantazhin e krijuar në takimin e parë ndaj KF Teuta Durrës. Pas fitores 2-1 në Durrës, rrogozhinasit hynë në sfidën e kthimit me objektivin e qartë për të ruajtur epërsinë, duke mos rrezikuar shumë.
Takimi u karakterizua nga ritëm i ulët, pak raste të pastra shënimi dhe shumë ndërprerje për nga ndërhyrjet e forta dhe tensioni në fushë. Teuta provoi të ushtrojë presion në momente të caktuara, por pa konkretizim përpara portës. Nga ana tjetër, Egnatia u tregua e disiplinuar në repartin defensiv. Rrogozhinasit nuk lejuan hapësira dhe menaxhuan me maturi çdo situatë.
Në fund, barazimi 0-0 ishte pasqyra më e qartë e asaj që prodhuan skuadrat në fushë. Ky rezultat i mjaftoi Egnatias për të siguruar kalimin në gjysmëfinale dhe vijuar ëndrrën në këtë edicion të Kupës së Shqipërisë.