Kuba: SHBA po ndërton një dosje të rreme për të na sulmuar ushtarakisht

Ministri i Jashtëm i Kubës ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po ndërtojnë një “çështje të sajuar” për të justifikuar një ndërhyrje ushtarake, pas raportimeve se Havana ka siguruar dronë sulmues që mund të godasin Floridën.

Bruno Rodríguez deklaroi se Kuba “as nuk kërcënon, as nuk dëshiron luftë”, pasi portali amerikan Axios raportoi, duke cituar inteligjencë të klasifikuar, se Kuba zotëron tashmë 300 dronë dhe po diskuton mundësinë e goditjes së objektivave amerikane aty pranë.

Kuba po përballet me një krizë të rëndë karburanti, e përkeqësuar nga ajo që konsiderohet si një bllokadë amerikane ndaj naftës, ndërsa administrata Trump po rrit presionin mbi Havanën për të “bërë një marrëveshje”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar regjimin komunist kuban me një ndërhyrje të ngjashme me atë që çoi në kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro.

Sipas raportit të Axios, Kuba po shqyrton mundësinë e përdorimit të këtyre dronëve për të goditur bazën amerikane të Guantanamos në territorin kuban, si edhe anije luftarake dhe ndoshta Key West në Florida. Raporti citon një zyrtar amerikan që thotë se inteligjenca, e paraqitur si një bazë e mundshme për ndërhyrje ushtarake amerikane, sugjeron gjithashtu praninë e këshilltarëve ushtarakë iranianë në Havana.

Dronët iranianë kanë luajtur një rol të rëndësishëm si në luftën në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Ukrainë.

“Pa asnjë arsye legjitime, qeveria amerikane po ndërton dita-ditës një çështje të rreme për të justifikuar luftën e pamëshirshme ekonomike ndaj popullit kuban dhe një agresion të mundshëm ushtarak”, shkroi Rodríguez në rrjetet sociale.

Ai akuzoi gjithashtu mediat se po bashkëpunojnë me këtë narrativë, duke përhapur shpifje dhe duke publikuar insinuata që, sipas tij, vijnë nga vetë qeveria amerikane.

Rodríguez shtoi se, edhe pse Kuba nuk dëshiron luftë, ajo po përgatitet për “agresion të jashtëm” dhe për vetëmbrojtje.

Havana ka disa muaj që është në bisedime me SHBA-në për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet mes dy vendeve, por dërgesa e vetme ruse e naftës që iu lejua të mbërrinte në ishull u mbarua në fillim të këtij muaji.

Ndërkohë, kubanët po përballen me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë, që kanë prekur spitalet, stacionet e pompimit të ujit, transportin publik dhe shërbimet bazë. Këto vështirësi, të kombinuara me mungesën e ushqimeve dhe ilaçeve, kanë shkaktuar edhe shenja të rralla pakënaqësie publike ndaj regjimit komunist, i cili po përballet edhe me degradimin e infrastrukturës.

Deri vonë, Kuba kishte arritur të mbijetonte nën sanksionet perëndimore falë ndihmës së aleatëve rajonalë, veçanërisht qeverisë së Maduro-s në Venezuelë, e cila besohet se i dërgonte rreth 35 mijë fuçi naftë në ditë para se Maduro të kapej nga forcat amerikane në fillim të janarit.

Tani duket se administrata Trump po e shton më tej presionin ndaj Havanës.

Sipas New York Times, fluturimet e vëzhgimit amerikan rreth Kubës janë shtuar dhe po planifikohet një grumbullim i ri forcash amerikane në rajon.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, kishte kërkuar gjatë një vizite në Havana që Kuba “të mos jetë më një strehë e sigurt për kundërshtarët e SHBA-së në hemisferën perëndimore”.

Takimi i tij me zyrtarët kubanë erdhi në të njëjtën kohë kur dolën raportime se SHBA po përgatitet të ngrejë akuza penale ndaj Raul Castros, i cili mori drejtimin e Kubës pas largimit të vëllait të tij Fidel Castro, liderit që rrëzoi qeverinë e mbështetur nga SHBA në vitin 1959.

Ishte pikërisht një aktakuzë federale ndaj Nicolás Maduro-s ajo që administrata Trump përdori si justifikim për operacionin e guximshëm në Karakas, që çoi në arrestimin e tij dhe të bashkëshortes, Cilia Flores. Të dy pritet të dalin në gjyq në Nju Jork për akuza që përfshijnë edhe trafik droge.

Në muajt para atij operacioni, Trump e kishte akuzuar vazhdimisht qeverinë e Maduro-s se përbënte kërcënim për SHBA-në, ndërsa një forcë e madhe ushtarake amerikane grumbullohej në afërsi.

Që prej kapjes së Maduro-s, Trump ka deklaruar se “është radha e Kubës” dhe madje ka thënë se do të kishte “nderin të merrte Kubën”.

Trump e ka parë gjithnjë e më shumë politikën amerikane në rajon përmes një rikthimi të asaj që njihet si Doktrina Monroe e vitit 1823, sipas së cilës SHBA duhet të jetë arbitri i vetëm në hemisferën perëndimore. Ai madje e ka quajtur këtë qasje “Doktrina Donroe”.

Administrata e tij ka treguar interes më të madh për Amerikën Latine dhe për liderët e majtë me të cilët ka përplasje ideologjike, më shumë se sa paraardhësit e tij të fundit.

BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top