Në letër, derbi i kryeqytetit duhej të ishte një duel i ekuilibruar mes dy skuadrave në krizë. Në realitet, ishte vetëm një ndeshje stërvitore për Tiranën. Në “Air Albania”, bardheblutë jo vetëm që fituan 3-0, por edhe u tallën me të kuqtë, duke i kthyer hallet e tyre në spektakël publik. Njësoj si një vit më parë, edhe atëherë Tirana fitonte 3-0 ndaj një Partizani që luftonte për Final 4. Këtë herë fatura është edhe më e rëndë, sepse të kuqve i mbetet rreziku i vendit të fundit në renditje.
Derbi i hallexhinjve, por Partizani kishte faturën më të rëndë
U fol shumë për “derbin e hallexhinjve”. Epo, vetëm njëri ekip e la pas hallet. Tirana i zgjidhi në 90 minuta, Partizani doli nga fusha me edhe më shumë dhimbje koke. “Të kuqtë” dukeshin si një skuadër që nuk dinte as pse kishte hyrë në fushë: nuk sulmonin, nuk mbroheshin, thjesht shikonin. Përballë, bardheblutë nuk patën asnjë arsye për t’u lodhur shumë.
Mbrojtja e Partizanit: dhurata e paketuar më bukur për Tiranën
Goli i parë? Një krosim dhe një goditje me kokë e Falayes që mbrojtësit e kuq e ndoqën me sy, sikur ishin spektatorë të ndeshjes. Goli i dytë? Një penallti që tregoi se sa pa takt është kjo prapavijë, duke u dhuruar kundërshtarëve një tjetër mundësi. Goli i tretë? Tabekou shënoi me lehtësi, sepse mbrojtja e Partizanit ishte e hapur si dyert e një marketi 24 orësh.
Milinkoviç ndryshon lojtarë, por jo realitet
Trajneri i Partizanit provoi disa zëvendësime, por në fakt, problemi nuk ishte kush luante. Problemi është se askush nuk luante. Ndryshimet e tij ishin si të ndërronte dekorin e një shtëpie që digjet nga zjarri: duket ndryshe, por fundi është po ai – rrënojat. Tirana nuk u shqetësua asnjëherë seriozisht nga ndonjë aksion i kuqve.
Tirana: nga kriza tek rikthimi
Me këtë fitore, bardheblutë e Bordin dalin nga zona e ftohtë dhe ngjiten në vendin e tetë. Një ndryshim i madh për një skuadër që deri pak javë më parë dukej po aq e humbur sa Partizani. Por ndryshe nga rivalët, Tirana tregoi se ka ambicie, karakter dhe mbi të gjitha… kundërshtarë që ia dhurojnë pikët.
Në anën tjetër, Partizani zbret edhe më poshtë në tabelë. Çdo javë duket sikur e gjen mënyrën për ta bërë situatën më qesharake. Në vend që të reagojnë, të kuqtë duken të pajtuar me idenë se fundi i tabelës nuk është edhe aq i keq sa thonë.
Përfundimi: Tirana feston, Partizani zhytet në errësirë
Ky derbi nuk ishte as për “jetë a vdekje”. Ishte thjesht një konfirmim se kush jeton dhe kush ka zgjedhur të vdesë ngadalë. Tirana merr frymë dhe sheh përpara, ndërsa Partizani vazhdon të fundoset, duke lënë pas vetëm justifikime dhe zhgënjim. Nëse përpara ndeshjes e quajtën “derbin e hallexhinjve”, pas përfundimit mund të thuhet: vetëm Partizani mbeti hallexhi, dhe nuk duket se ka shumë rrugëdalje. Me pak fjalë: Tirana doli nga fusha me tre pikë dhe buzëqeshje, Partizani doli me turp dhe me një krizë që s’ka fund dhe që tifozët nuk po e durojnë dot më.