Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një paketë ndryshimesh në Rregulloren e Parlamentit, që prekin mënyrën si funksionon seanca plenare, komisionet dhe mbikëqyrja e institucioneve. Por mes të gjitha propozimeve, një element bie menjëherë në sy: ulja e kohës së fjalës për deputetët.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Sipas draftit të paraqitur, në disa raste koha e diskutimit në seancë do të shkurtohet nga 10 minuta në maksimum 5 minuta, duke kufizuar hapësirën e debatit parlamentar.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu përshpejtimin e shqyrtimit të ligjeve që lidhen me integrimin europian. Projektligjet që kanë të bëjnë me përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe procesin e negociatave do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar dhe do të futen menjëherë në programin e punës së Kuvendit.
Paketa përfshin edhe riorganizimin e komisioneve të përhershme, duke i riformatuar ato dhe duke i dhënë disa prej tyre rol më të zgjeruar në monitorimin e institucioneve dhe në trajtimin e nismave qytetare.
Po ashtu, parashikohen mekanizma të rinj për raportimin periodik të institucioneve në Kuvend, si dhe rregulla më të detajuara për zgjedhjen dhe shkarkimin e drejtuesve të organeve kushtetuese apo atyre të krijuara me ligj.
Megjithatë, elementi që pritet të ngjallë më shumë debat politik mbetet kufizimi i kohës së fjalës në seancë, një ndryshim që prek drejtpërdrejt hapësirën e diskutimit dhe përplasjes politike në Kuvend.