Përpjekja e Friedrich Merz për t’u bërë kancelari i dhjetë i Gjermanisë ka dështuar në raundin e parë të votimeve në parlament.
Ai ka dështuar për vetëm gjashtë vota.
Lideri konservator, pritej të siguronte votat të martën. Atij i duhet shumica prej 316 votave nga 630 sa ka Bundestagu. Ai mori vetëm 310 vota.
Friedrich Merz ka nevojë për miratimin e shumicës së anëtarëve të Bundestagut, pra 316 vota. Në Bundestag janë 328 deputetë nga CDU/CSU dhe SPD, koalicioni qeverisës në Gjermani.
Pavarësisht se diferenca e numrave nuk është e madhe, zgjedhja në raundin e parë konsiderohej si mjaft e sigurtë, por nuk ndodhi ashtu.
Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës.