Më 9 janar, një burim i tha PEOPLE se David dhe Victoria Beckham kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të riparuar marrëdhënien me djalin e tyre të madh, Brooklyn Beckham (26), dhe bashkëshorten e tij, aktoren Nicola Peltz (31), pas përçarjes që dyshohet se nisi pas dasmës së çiftit në vitin 2022.
Sipas burimit, David dhe Victoria kanë kërkuar vazhdimisht të takohen me Brooklyn dhe Nicola për të sqaruar situatën dhe për të ecur përpara, duke theksuar se çifti ka qenë gjithmonë i ftuar në të gjitha ngjarjet familjare, përfshirë ceremoninë kur David Beckham mori titullin (knighthood) në tetor.
“Brooklyn dhe Nicola kanë qenë gjithmonë të ftuar në çdo event familjar, privat apo publik,” tha burimi.
Megjithatë, një burim pranë Nicola Peltz e mohon këtë version.
“Pretendimi se Brooklyn dhe Nicola janë ftuar në çdo event dhe se David e Victoria kanë bërë përpjekje të sinqerta për pajtim nuk është i vërtetë,” tha ai. “Asnjë nga prindërit nuk ka kontaktuar me Nicolën prej gati një viti.”
Më 8 janar, The Sun raportoi se Brooklyn dyshohet se u ka dërguar prindërve të tij një njoftim ligjor, duke kërkuar që çdo komunikim të bëhet vetëm përmes avokatëve dhe që ata të mos e “etiketojnë” më në rrjete sociale.
Sipas raportimit, një “like” i Victoria Beckham në Instagram konsiderohet si shkelje e këtij paralajmërimi dhe mund të ketë qenë arsyeja pse Brooklyn i bllokoi prindërit e tij në rrjetet sociale. Daily Mail shton se vendimi për t’i bllokuar ata është marrë verën e kaluar.
Aktualisht, Brooklyn, Nicola, David dhe Victoria nuk ndiqen mes tyre në Instagram. Po ashtu, Brooklyn dhe Nicola nuk ndjekin as vëllezërit e tij, Romeo dhe Cruz.
Ky i fundit reagoi në Instagram Stories duke shkruar:
“Prindërit e mi nuk do ta bllokonin kurrë djalin e tyre… Ata u zgjuan dhe e panë veten të bllokuar – ashtu si edhe unë.”
Drama mes familjes Beckham dhe çiftit Brooklyn–Nicola ka vite që zgjat. Në maj të vitit të kaluar, një burim i tha PEOPLE se konflikti kishte nisur për shkak të polemikave rreth fustanit të dasmës, ku Victoria Beckham kishte ofruar të dizajnonte fustanin e nuses, por kjo nuk ndodhi kurrë.
“Nicola u portretizua si e llastuar pse nuk veshi Victoria Beckham në dasmë,” tha burimi, duke theksuar se ajo ka veshur shpesh dizajnet e Victoria-s në evente të tjera.
Në prag të Vitit të Ri, David Beckham postoi në Instagram momente nga viti 2025 me fëmijët Romeo, Cruz dhe Harper, por pa përfshirë Brooklyn. Më pas, ai ndau disa InstaStory ku shfaqej edhe me djalin e tij të madh, duke shkruar:
“Ju dua të gjithëve shumë.”
Një burim i tha PEOPLE më 9 janar se “David i do fëmijët e tij – ata janë gjithçka për të”.
Edhe pse marrëdhënia mbetet e tensionuar, një burim kishte deklaruar më herët se ajo “nuk është përtej riparimit”, duke shtuar se David dhe Victoria janë të lënduar dhe të zhgënjyer nga fakti që Brooklyn nuk është më pjesë aktive e jetës familjare.