Kriza e blegtorisë/ Importet e bulmetit u rritën me 62% ndërmjet 2021-2025

Bilanci tregtar i Shqipërisë për produktet e shportës po dëshmon një varësi gjithnjë e më të theksuar nga importet jashtë vendit. Sipas të dhënave të INSTAT nga tregtia e jashtme, kategoria “Produkte bulmetore, vezët dhe mjalti” ka pësuar një rritje të fortë të vlerës së importit, duke u ngjitur nga 6.8 miliardë lekë në vitin 2024, në rreth 7.7 miliardë lekë në vitin 2025.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Ky zgjerim prej rreth 14% brenda një viti kalendarik dhe 62% që nga viti 2021, po tregon se prodhimi vendas po humbet terren me shpejtësi përballë produkteve që vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Kjo rritje e importeve vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e një krize strukturore që ka mbërthyer sektorin e blegtorisë në Shqipëri. Prej vitesh, numri i krerëve në blegtori po pëson rënie sistematike, e nxitur nga braktisja e fshatit, plakja e popullsisë rurale dhe mungesa e interesit të të rinjve për të trashëguar fermat familjare.

Nga ana tjetër kostoja e prodhimit vendas është shtrenjtuar për shkak të rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore dhe bazës ushqimore. Blegtorët shqiptarë po e gjejnë veten të pafuqishëm për të konkurruar me prodhuesit e huaj, të cilët mbështeten nga skema subvencionimi dhe teknologji më efikase.

Sakaq, tregu po reagon duke u orientuar drejt mbushjes së vakumit të krijuar nga prodhimi vendas përmes importeve. Ndërsa konsumi i brendshëm mbetet relativisht i qëndrueshëm dhe kërkesa nga sektori i turizmit po rritet vit pas viti, mungesa e qumështit dhe nënprodukteve të tij “Made in Albania” po plotësohet nga fabrikat e huaja.

Forcimi i monedhës vendase e ka bërë importin e djathit, qumështit apo gjalpit nga vendet e Bashkimit Evropian shumë më të lirë sesa vitet e kaluara. Për një tregtar, sot është me më leverdi të sjellë një maune me qumësht nga Italia apo Hungaria, sesa të grumbullojë sasi të vogla qumështi nëpër fshatrat e Shqipërisë me kosto logjistike të lartë. Leku i fortë po godet rëndë prodhuesin vendas që nuk konkurron dot me çmimet e huaja.

Kjo situatë krijon një rreth vicioz ku, sa më shumë rriten importet, aq më shumë ulet presioni mbi institucionet për të mbështetur blegtorinë lokale, duke e lënë këtë të fundit në mëshirë të fatit dhe të zhvlerësuar përballë konkurrencës rajonale.

Ekspertët e fushës paralajmërojnë se nëse kjo tendencë e reflektuar në shifrat e vitit 2025 do të vijojnë me të njëjtat ritme. Shqipëria rrezikon të humbasë sovranitetin ushqimor në produktet bazë. Rritja e importeve me plot 10 milionë euro brenda një viti po tregon se politikat e subvencionimit nuk kanë arritur të frenojnë tkurrjen e stallave./ Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top