Papa Leo ka sqaruar se deklaratat e tij të fundit për “tiranët” dhe shpenzimet ushtarake nuk kishin si qëllim një përplasje me Donald Trump. Sipas BBC, Papa theksoi se fjalimi ishte përgatitur dy javë më parë, përpara debatit publik me presidentin amerikan. Duke folur për gazetarët gjatë një fluturimi drejt Angola, ai u shpreh se komentet e tij u interpretuan gabimisht si një përgjigje ndaj Trump.
“U duk sikur po përpiqesha të debatoja sërish me presidentin, gjë që nuk është në interesin tim”, tha ai.
Deklarata vjen pasi Trump kritikoi ashpër Papën në fillim të javës. Papa, i cili ndodhet në një vizitë në Afrikë, gjatë një fjalimi në Kamerun kritikoi liderët që, sipas tij, tolerojnë shpenzime miliardëshe për luftëra, ndërkohë që mungojnë investimet për shërim, arsim dhe rindërtim.
“Mjafton një moment për të shkatërruar, por shpesh një jetë e tërë nuk mjafton për të rindërtuar”, u shpreh Papa.