Vera e detyrimeve të papaguara të bizneseve për sigurimet shoqërore ka pësuar një rritje të mëtejshme gjatë vitit të kaluar duke arritur një vlerë në 26.3 miliardë lekë (270 milionë euro) nga 24.4 miliardë lekë në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Ky zgjerim i stokut të borxhit me rreth 1.9 miliardë lekë ose 7.8% reflekton vështirësitë në rritje të sektorit privat për të përmbushur detyrimet ligjore ndaj punonjësve dhe shtetit.
Ndërmjet 2022 dhe 2025 stoku i detyrimeve të prapambetura në formën e sigurimeve shoqërore është rritur me 28.3%.
Shkak kryesor i këtij trendi negativ mund të jetë rënia e likuiditetit në duart e bizneseve, e ndikuar nga rritja e kostove operative, sidomos rritja e njëanshme e pagës minimale dhe asaj mesatare ka krijuar një hendek mes faturës së detyrimeve dhe aftësisë paguese të ndërmarrjeve. Shumë biznese, përballë vështirësive financiare, zgjedhin të paguajnë pagën neto për të mbajtur stafin, duke lënë pas dore derdhjen e kontributeve, çka çon në fryrjen e këtij stoku vit pas viti.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e këtyre detyrimeve lidhet me penalitetet dhe kamatëvonesat që akumulohen mbi borxhin ekzistues. Rritja e numrit të bizneseve që hyjnë në proces falimenti ose që pezullojnë aktivitetin pa shlyer detyrimet e mëparshme, kontribuon drejtpërdrejt në këtë shifër prej, duke e bërë këtë zë një barrë gjithnjë e më të rëndë për ekonominë.
Pasojat e kësaj ecurie janë mjaft serioze si për bizneset, por, sidomos për skemën e mbrojtjes sociale. Bizneset do të ekspozohen më shumë ndaj gjobave, bllokimit të llogarive bankare dhe pamundësi për të marrë pjesë në tenderë publikë apo për të përfituar kredi bankare. Për punëmarrësit, rritja e detyrimeve të papaguara krijon në vonesa ose mangësi në vitet e sigurimit, duke rrezikuar përfitimet e tyre të ardhshme si pensionet apo pagesat e barre lindjes.
Ndonëse ligji parashikon penalitete të rrepta, përfshirë bllokimin e llogarive bankare (urdhër-ekzekutimet), detyrimet krijohen në momentin që një subjekt deklaron liste pagesën në sistemin e-Albania por nuk kryen derdhjen e vlerës monetare brenda afatit ligjor të datës 20 të muajit pasardhës.
Ky veprim gjeneron menjëherë një detyrim të papaguar, i cili fillon e rritet në mënyrë progresive çdo ditë përmes kamatëvonesave, duke e transformuar një vonesë të thjeshtë në një borxh afatgjatë.
Shpesh bizneset e vogla dhe të mesmet i japin përparësi mbijetesës e përditshme dhe pagesat ndaj furnitorëve, duke e lënë shtetin si kreditorin e fundit në radhë, me shpresën e një marrëveshjeje të mëvonshme për pagesë me këste.
Kjo situatë rëndohet më tej nga rritja e pagës minimale, e cila ka rritur automatikisht faturën e sigurimeve për çdo punonjës, duke bërë që edhe ato biznese që dikur ishin korrekte, të mos kenë më fuqi qarkulluese për të mbuluar rritjen e menjëhershme të kostos së punës.
Gjithashtu sistemi tatimor vazhdon të llogarisë gjoba dhe interesa mbi detyrimet ekzistuese, edhe nëse biznesi ka ndaluar aktivitetin, por nuk ka kryer procedurat e çregjistrimit total. Kjo krijon një efekt borxh mbi borxh, ku shuma rritet sepse vonesat e vjetra po bëhen më të shtrenjta për t’u shlyer./Monitor.al