Kredia për ekonominë u ngadalësua për të dytin muaj radhazi në gusht

Kredia për ekonominë shënoi përsëri një ngadalësim të lehtë për muajin gusht. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia gjatë gushtit arriti në 40.7 miliardë lekë. 1.7% më pak krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Pavarësisht rënies krahasuar me vitin e kaluar, vlera e kredisë së re gjatë muajit gusht ishte sidoqoftë vlera e dytë më e lartë historike e huadhënies për këtë muaj të vitit.

Gjithashtu, shifrat progresive të kreditimit për vitin 2025 ngelen në rritje dhe në vlerat më të larta historike. Për të gjithë 8-mujorin 2025, kredia e re e dhënë për ekonominë shqiptare ka arritur vlerën e 272.6 miliardë lekëve, në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërkohë që vitin e kaluar rritja e kredisë ishte mbështetur kryesisht te financimet e bizneseve, këtë vit kontributin kryesor po e jep rritja e huave për individë.

Kredia e re për individët në gusht vijoi rritjen e qëndrueshme, në linjë me tendencën pozitive të viteve të fundit. Kredia e re kishte vlerën e 8.8 miliardë lekëve, në rritje me 11% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Edhe për 8-mujorin kredia e re ngelet të ndjeshme. Ajo arriti vlerën e 85.9 miliardë lekëve, në rritje me 24% krahasuar me një vit më parë.

Kreditimi i individëve është mbështetur te një rritje shumë e shpejtë në dy segmentet kryesore, të blerjeve të pasurive të paluajtshme dhe financimit të konsumit.

Kredia për bizneset në muajin gusht kishte vlerën e 30.9 miliardë lekëve, 7.7% më pak krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe bilanci progresiv i 8-mujorit ka kaluar në rënie të lehtë. Kompanitë private përfituan gjithsej 182.2 miliardë lekë kredi, me një rënie prej 0.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pas një rritjeje shumë të shpejtë gjatë vitit të kaluar, këtë vit kredia për bizneset është ngadalësuar ndjeshëm. Në fund të muajit gusht, edhe portofoli total i kredisë për ekonominë vijoi rritjen. Ai kishte vlerën e 900.6 miliardë lekëve, duke u zgjeruar me më shumë se shtatë miliardë lekë krahasuar me korrikun. Me bazë vjetore, kredia ruan rritjen dyshifrore, me 10.9% më shumë krahasuar me gushtin e vitit 2024.

Rritja është më e lartë në segmentin e individëve, ku portofoli ka arritur vlerën e 360.5 miliardë lekëve, në rritje me 17% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa në segmentin e biznesit vlera e portofolit të kredisë arriti në 490.4 miliardë lekë, në rritje me 7.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor.al

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top