Kredia e dhënë nga bankat shqiptare për huamarrësit jashtë vendit u rrit me ritme të shpejta gjatë vitit 2025. Në fundin e muajit nëntor, kredia e dhënë për huamarrës jorezidentë në Shqipëri arriti në afërsisht 71.4 miliardë lekë. Kredia për jorezidentët është rritur me 56.6% krahasuar me një vit më parë.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Kredia për jorezidentët aktualisht ndodhet në nivelet më të larta që prej fillimit të vitit 2018. Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit nëntor 2025 huaja për jorezidentët përbën rreth 7.2% të portofolit të sektorit bankar, nga rreth 5.3% që zinte një vit më parë.
Kredia e sektorit bankar për jorezidentët i arriti nivelet më të larta historike në mesin e vitit 2017. Megjithatë, edhe në momentin kur kredia jashtë vendit arriti pikun, ajo ishte e kufizuar në pak banka të mëdha të sistemit.
Një pjesë e madhe e kredisë jashtë vendit lidhej sidomos me aktivitetin e degës së BKT në Kosovë. Pasi dega në fjalë u nda nga banka mëmë në Shqipëri, në fillim të vitit 2019, portofoli i saj i nuk u klasifikua më si hua direkte e bankave shqiptare, duke sjellë një rënie të ndjeshme të kredisë së sektorit për jorezidentët.
Aktualisht, Credins Bank ka degë të saj edhe në tregun e Kosovës, që vazhdojnë të konsiderohen si pjesë e bankës mëmë në Shqipëri. Nga pikëpamja statistikore, portofoli i Credins Kosovë klasifikohet si kredi për jorezidentët, megjithëse banka ushtron aktivitet si bankë lokale në Kosovë.
Statistikat nga Shoqata e Bankave të Kosovës tregojnë se portofoli i Credins Kosovë në fund të 9-mujorit 2025 kishte vlerën e 81.6 milionë eurove ose afërsisht 8 miliardë lekëve. Në harkun e një viti, portofoli i kredisë së Credins Kosovë është rritur me gati 13%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për subjektet jorezidente në pjesën më të madhe është kredi e dhënë për bizneset, e dominuar kryesisht nga maturiteti afatgjatë.
Duke pasur parasysh faktin që, më shumë se gjysma e depozitave të sektorit bankar shqiptar janë në mondhën Euro, kjo krijon hapësira për investimit e tyre edhe jashtë vendit. Investimet në huadhënie ngelen ende në vlera modeste krahasuar me zërat e tjera të aktiveve jorezidente. Investimet e sektorit bankar jashtë vendit dominohen nga letrat me vlerë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor vlera e investimit të sektorit bankar në letra me vlerë të subjekteve jorezidente arriti në 285.1 miliardë lekë, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë.
Ulja e normave të interesit për Euron vitin e kaluar, megjithatë, duket se e ka ngadalësuar investimin në letra me vlerë të emetuesve të huaj, duke nxitur më shumë dhënien e kredive për klientë jorezidentë./Monitor.al