Zgjedhjet e 9 shkurtit sollën rezultate pak më ndryshe nga ato të 14 shkurtit 2021, duke e lënë ende të paqartë mundësinë e formimit të qeverisë së re.
Renditja e partive nuk ka ndryshuar, por numri i votave që kanë fituar po.
Lëvizja Vetëvendosje e ka ruajtur dominimin, por me përqindje më të vogël. Përderisa, PDK-ja vazhdon të jetë e dyta, me LDK-në të tretën.
Por, sa kishin fituar partitë në zgjedhjet e vitit 2021, dhe sa kanë tash?
Bazuar në rezultatet e KQZ-së me gati 90% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka 41.00% të votave, apo 311 mijë e 872 vota.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Vetëvendosje kishte pasur mbi 50% të votave, apo në shifra, mbi 438 mijë vota. Duke mos llogaritur votat e diasporës, Vetëvendosje ka humbur rreth 100 mijë vota për dallim nga zgjedhjet e para katër vitesh.
Rritje në vota ka Partia Demokratike e Kosovës. Aktualisht, PDK-ja ka 22.35% apo 170 mijë vota. Para katër vitesh, partia e drejtuar nga Memli Krasniqi kishte pasur 17% apo 110 mijë vota. Pra, PDK-ja ka rritje mbi 60 mijë vota, pa llogaritur votat me kusht e të diasporës.
Rritje në vota ka edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Aktualisht, sipas KQZ-së, partia e Lumir Abdixhikut ka 17.58% të votave, apo 133 mijë e 676 vota. Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LDK-ja kishte pasur 12.73% apo 110 mijë vota.
Rënie në vota duket të ketë pasur edhe AAK-ja. Përderisa në zgjedhjet e vitit 2021, si parti e vetme morën 7.12%, tash bashkë me Nismën, ata kanë mbi 7.5%./Nacionale