Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniç ka propozuar 7 qershorin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas takimit që zhvilloi me presidenten në detyrë, Albulena Haxhiu.
Ai u shpreh se iu duhet kohë për përgatitjen e procesit zgjedhor.
“Sa i përket datës, kemi kërkuar që të kemi sa më shumë kohë, na duhen përgatitje sepse nuk është proces i lehtë. I mbetet presidentes. Gjykata Kushtetuese e ka caktu, 31 maji ose 7 qershori. Për ne është 7 qershori, tash i mbetet presidentes me vendosur”, ka deklaruar ai.
Kreu i KQZ-së theksoi se nuk kanë diskutuar për buxhetin që i duhet institucionit për organizimin e zgjedhjeve, por shtoi se “besoj do të jetë përafërsisht si në zgjedhjet e kaluara”.
Sipas REL, zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, Kosovës i kushtuan rreth 7 milionë euro.
7 qershori është afati i fundit i mundshëm për mbajtjen e zgjedhjeve.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.