Kostoja e shëndetit në Shqipëri është e dyta më e lartë në Europë

Shqipëria është ndër vendet europiane ku kostoja pengon më shumë qytetarët të marrin kujdesin shëndetësor që u nevojitet. Në vitin 2024, 8% e popullsisë 16 vjeç e lart raportoi se nuk kishte kryer një ekzaminim mjekësor të nevojshëm, sepse ishte shumë i shtrenjtë.

Në të dhënat më të fundit të disponueshme të Eurostat, vetëm Greqia ka një nivel më të lartë, me 8.8% në vitin 2025. Mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2025 ishte vetëm 1%.

Pas Greqisë dhe Shqipërisë, diferenca është e madhe. Në vitin 2025, pamundësia për të përballuar financiarisht ekzaminimin prekte 2.5% të popullsisë në Letoni, 2% në Rumani, 1.9% në Francë dhe 1.6% në Itali.

Kostoja mbetet pengesa kryesore në Shqipëri

Në Shqipëri, në vitin 2024, përveç 8% që nuk e përballonin koston, 1.5% deklaruan se nuk kishin marrë ekzaminimin për shkak të listës së pritjes dhe 0.2% për shkak se shërbimi ndodhej shumë larg. Të tria së bashku përbënin 9.8% të popullsisë.

Për krahasim, në BE në vitin 2025 vetëm 1% e popullsisë raportoi koston si pengesë. Listat e pritjes përbënin një arsye për 1.2% të popullsisë së BE-së dhe largësia nga shërbimi për 0.1%. Të marra së bashku, këto tri pengesa prekën 2.4% të popullsisë së BE-së.

Nga mungesa e kohës te frika nga mjeku

Të dhënat e detajuara të Eurostat tregojnë se pengesat për marrjen e kujdesit në Shqipëri nuk kufizohen vetëm te sistemi shëndetësor.

Në vitin 2024, 2% e popullsisë 16 vjeç e lart deklaroi se nuk e kishte kryer ekzaminimin sepse kishte preferuar të priste për të parë nëse problemi do të përmirësohej vetë. Kjo ishte arsyeja e dytë më e shpeshtë pas kostos, nëse merren veçmas të gjitha arsyet e deklaruara.

Mungesa e kohës ishte gjithashtu një pengesë e rëndësishme. Rreth 1.8% e popullsisë deklaroi se nuk kishte pasur kohë për të kryer ekzaminimin, nga 1.6% në 2023 dhe 1.5% në 2022.

Një pjesë më e vogël e qytetarëve, 0.2%, deklaroi si arsye frikën nga mjeku, spitali, ekzaminimi ose trajtimi, ndërsa 0.1% raportoi se nuk njihte një mjek ose specialist të mirë. Një tjetër 1% përmendi arsye të tjera.

Kur merren parasysh të gjitha arsyet e raportuara nga Eurostat, jo vetëm kostoja, largësia dhe pritja, 85.1% e shqiptarëve deklaruan në vitin 2024 se nuk kishin pasur nevoja të paplotësuara për ekzaminim mjekësor dhe 14.9% kishin raportuar një nevojë të paplotësuar për të paktën një nga arsyet e përfshira në anketë.

Shqipëria shumë mbi rajonin për pengesën financiare

Edhe në raport me Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka nivelin më të lartë të mosmarrjes së ekzaminimeve për shkak të kostos.

Në Serbi, ku ka tashmë të dhëna për vitin 2025, vetëm 1.1% e popullsisë raportoi se ekzaminimi ishte shumë i shtrenjtë. Për Maqedoninë e Veriut, vlera e fundit e disponueshme është 1.2% në vitin 2024, ndërsa për Malin e Zi 0.3% në të njëjtin vit.

Për Bosnjë-Hercegovinën, e dhëna e fundit është 0.4% dhe i përket vitit 2023, ndërsa për Kosovën nuk ka të dhëna në serinë e përdorur.

Shpenzimet e ulëta dhe pagesat e larta nga xhepi

Niveli i lartë i mosmarrjes së ekzaminimeve për shkak të kostos përkon me konsum të ulët të për shëndetësinë në Shqipëri dhe me një barrë financiare shumë më të lartë që bie drejtpërdrejt mbi familjet.

Të dhëna të tjera të Eurostat bënë të ditur se konsumi individual për shëndetësinë në Shqipëri ishte 662 euro për banor në vitin 2025, kundrejt 3,675 eurove mesatarisht në BE. Edhe pasi eliminohet efekti i diferencave të çmimeve, konsumi real i mallrave dhe shërbimeve shëndetësore në Shqipëri ishte vetëm rreth 40% e mesatares europiane.

Sipas Bankës Botërore, Në vitin 2023, 48.27% e shpenzimeve korrente për shëndetësinë në Shqipëri paguheshin drejtpërdrejt nga familjet, niveli më i lartë në Europë. Në BE, pagesat nga xhepi përbënin mesatarisht vetëm 14.9% të shpenzimeve shëndetësore.

Burimet publike vendase financonin rreth 49.6% të shpenzimeve korrente për shëndetësinë në Shqipëri, ndërsa në BE skemat e detyrueshme të sigurimit dhe skemat qeveritare mbulonin së bashku 80.6% të faturës.

Metodologjia
Të dhënat bazohen në treguesin e Eurostat për nevojat e vetëraportuara të paplotësuara për ekzaminim mjekësor, sipas arsyes kryesore të deklaruar. Anketa përfshin si arsye koston, largësinë dhe listat e pritjes, por edhe mungesën e kohës, mosnjohjen e një mjeku apo specialisti të përshtatshëm, frikën nga mjeku, spitali, ekzaminimi ose trajtimi, pritjen për të parë nëse problemi përmirësohet vetë dhe arsye të tjera.

Treguesi i referohet popullsisë 16 vjeç e lart dhe bazohet në vlerësimin e vetë personit nëse kishte nevojë për ekzaminim ose kujdes mjekësor, por nuk e mori apo nuk e kërkoi atë.

Për Shqipërinë, të dhënat më të fundit në tabelën e Eurostat janë për vitin 2024. Për BE-në, Greqinë dhe vendet e tjera ku të dhënat e vitit 2025 janë të disponueshme, në krahasim është përdorur viti 2025. Për vendet ku 2025 mungon, është përdorur viti më i fundit i disponueshëm dhe viti është specifikuar në tekst./ Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top