Prokurorja Javorka Perlinçeviç deklaroi se “Naim Murseli urdhëroi vrasjen pasi Liridones i kishin dalur 260 mijë euro nga sigurimi jetësor në Suedi”.
Prokuroria shtoi se si provë materiale është propozuar edhe raporti që e kanë pranuar sipas kërkesës së tyre nga organet e Suedisë, e që kanë vërtetuar se në emër të tani të ndjerës, në vitin 2022 është paguar polica e sigurimit jetësor në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze- në kundërvlerë 260 mijë euro, transmeton Telegrafi.
Avokatja e Naim Murselit, Teuta Zhinopotoku deklaroi se mbrojtja ka kërkuar që i pandehuri Naim Murseli të dërgohet për ekzaminim mendor, por deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare nga gjykata.
“Kemi kërkuar që Naim Murseli të dërgohet në ekzaminim mendor, e që s’kemi pranuar përgjigje nga gjykata. Konsiderojmë se kur të arrihet sigurimi i kësaj prove që buron nga konstatimi që do ta bëjë grupi i ekspertëve në QKUK, instituti i forenzikës dhe pas ekzaminimit të të pandehurit të vazhdohet me këtë çështje e cila është ngritur pranë kësaj gjykate. Ky proces kërkon maturi, dëshmi dhe paanshmëri”, tha ajo.
Ndërsa, Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Liridona Ademajt është deklaruar i pafajshëm.
“Nëse pretendimet e prokurorisë në aktakuzë vërtetohen atëherë unë vet, për veten time do të kërkojë dënim me burgim të përjetshëm”, tha ai.
I pafajshëm është deklaruar edhe i akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, ndërkaq në heshtje u mbrojt Granit Plava.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.