Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e hapura në Kosovë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se mund të ketë pasur vetëm ndonjë vonesë në disa vendvotime të caktuara.
“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit”, deklaroi ai, duke ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të marrin pjesë në zgjedhje.
Në konferencën e parë për media për ditën e sotme, Elezi theksoi se KQZ-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur problemet teknike me platformën e rezultateve preliminare.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kjo platformë ka pasur pengesa të vazhdueshme.
 
				 
								 
															