Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve të Bashkimit Evropian miratuan sot vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën në takimin e Këshillit të Punëve të Brendshme në Bruksel.
Ministrat e miratuan këtë vendim “në lexim të parë”, pa diskutime, pasi për këtë më herët në takim të ambasadorëve ishin pajtuar përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare.
“Këshilli sot miratoi pozicionin e tij lidhur me lëvizjen e lirë pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t’u mundësojnë bartësve të këtyre pasaportave udhëtimin në Bashkimin Evropian pa viza për qëndrim në një periudhë deri 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditëve“, ka thënë pas miratimit ministrja e Brendshme e Suedisë, Maria Malmer Stenegard.
Kjo praktikë zbatohet në të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë në zonën Schengen të Bashkimit Evropian pa regjim vizash.
“Përjashtimi për detyrimin për viza do të vlejë nga data kur të jetë në fuqi Sistemi Evropian i Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) apo prej 1 janarit të vitit 2024, varësisht se cila nga këto data do të jetë më e hershme“, tha Malmer Stenegard.
Siaps saj rregullat e reja duhet tash të miratohen nga Parlamenti Evropian para se të nënshkruhen dhe botohen në gazeten zyrtare të Bashkimit Evropian.
“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e migracionit dhe sigurinë dhe për të përshtatur politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi ynë në këtë fushë do të vazhdojë“, ka thënë ministrja e Suedisë, vendi i cili e ka kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian.
Sipas këtij vendimi, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë tërësisht funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.
Deri vonë ishte besuar se hyrja në fuqi e këtij sistemi do të jetë më 1 nëntor të këtij viti, por ky afat është shtyrë për vitin 2024.
Hyrja në fuqi e këtij sistemi vitin që vjen është vendosur si datë e re në faqen zyrtare të sistemit ETIAS.
Kur të hyjë në fuqi ky sistem, ata që duan të vizitojnë vendet e BE-së pa viza, duhet paraprakisht të regjistrohen përmes tij, dhe më pas marrin një autorizim i cili është i vlefshëm për tre vjet.
Për këtë, qytetarët do të duhet të paguajnë 7 euro, por ata të moshës nën 18 dhe mbi 70 vjeç mund ta bëjnë falas.
Diplomatët në BE thonë se, aktualisht, gjithçka në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën po shkon sipas planit, dhe se afati i hyrjes në fuqi mbetet 1 janari i vitit të ardhshëm.
Burime në BE pohojnë se tashmë nuk shohin ndonjë pengesë në këtë proces, i cili pritet të finalizohet formalisht deri në fund të presidencës suedeze të BE-së, që përfundon më 31 qershor.
Vendimi, thonë ata, do të jetë gati për të hyrë në fuqi, nëse jo më herët, atëherë më 1 janar të vitit 2024./ Evropa e Lirë