Samiti Ndërkombëtar i Muzikës (International Music Summit – IMS), ngjarja kryesore globale për industrinë e muzikës elektronike, ka shpallur programin e plotë për edicionin e vitit 2026 që do të mbahet në Cala Llonga, Ibiza.
Mes emrave më me ndikim në industrinë botërore, këtë vit spikat pjesëmarrja e Dukagjin Lipës, i cili do të jetë një nga folësit kryesorë në panelin e liderëve të industrisë.
Nën temën qendrore “Reclaim The Dancefloor” (Rikthimi në Pistën e Vallëzimit), samiti i këtij viti do të mbledhë mbi 200 zëra me ndikim në industri për të diskutuar të ardhmen e muzikës, ndikimin e inteligjencës artificiale dhe ndryshimin e sjelljeve të audiencës globale.
Nga Prishtina në skenat globale: Kosova si brand ndërkombëtar Përfshirja e Dukagjin Lipës në këtë samit vjen si një njohje e rëndësishme e suksesit të jashtëzakonshëm të Sunny Hill Festival.
Si njeriu që qëndron pas festivalit më të madh në rajon, i cili tashmë mbledh mbi 100,000 pjesëmarrës duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen ekonomike dhe promovimin e turizmit në vend. Lipa do të ndajë përvojën e tij në krijimin e
një destinacioni të ri muzikor në zemër të Ballkanit.
Ky përfaqësim shërben si një akt i fuqishëm i diplomacisë kulturore, duke e ripozicionuar Kosovën në hartën botërore jo më si një vend në tranzicion, por si një adresë të rëndësishme dhe atraktive për investimet në industrinë kreative. Pjesëmarrja e tij vërteton se Prishtina tashmë është një destinacion që nuk duhet humbur për adhuruesit e festivaleve botërore.
Vizioni që sjell standardet botërore Lidhja mes IMS Ibiza dhe Sunny Hill Festival përforcon vizionin e Lipës për të sjellë standardet më të larta të industrisë ndërkombëtare në Kosovë.
Samiti në Ibiza njihet si vendi ku lindin trendet e reja dhe ku lidhen partneritetet më të mëdha, gjë që premton risi të mëtejshme edhe për edicionet e ardhshme të Sunny Hill, që cili tashmë është kthyer në një nga motorët kryesor të turizmit në vend.
Përveç Lipës, në programin e shpallur nga DJ Mag figurojnë edhe emra si Yann Pissenem (icili do të nderohet me çmimin “IMS Legends”), Sister Bliss, Joseph Capriati dhe Vintage Culture. Pika kulminante e eventit do të jetë mbrëmja magjike në Dalt Vila, hapësira historike nën mbrojtjen e UNESCO-s, e cila më 24 prill do të kthehet në epiqendrën e elitës së
muzikës botërore.
Ky përfaqësim i Dukagjin Lipës në Ibiza tregon edhe një herë rritjen e ndikimit të Sunny Hill Festival, i cili ka tejkaluar përmasat e një ngjarjeje lokale për t’u shndërruar në një faktor kyç në hartimin e strategjive globale që do të diktojnë trendet e artit dhe showbiz-it në vitet e ardhshme.