Shqipëria dhe Bashkimi Europian do të mbajnë sot Konferencën e Dytë Ndërqeveritare në Luksemburg. Vendi ynë do të përfaqësohet në këtë konferencë nga kryeministri Edi Rama, Kryenegociatorja Majlina Dhuka si dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Takimi do të nisë në orën 08:00 dhe do të drejtohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, vend i cili mban Presidencën e radhës së BE-së. Pas takimit rreth orës 09:25 pritet një konferencë për shtyp nga Rama dhe Szijjarto.
Në tryezë për palët shqiptare do të jenë dhe të gjithë zv/ministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen, të njohura si “Themeloret”. Kështu mund të thuhet se grup-kapitulli i parë është një ndër më të rëndësishmit, pasi prek fusha thelbësore, siç janë drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik apo reforma e administratës publike. Ky grup-kapitull hapet i pari dhe mbyllet në fund të procesit të integrimit. Progresi në këtë grup do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Në grup-kapitullin 1, përfshihen fushat dhe kapitujt e negociatave si:
Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike
Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore
Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria
Kriteret ekonomike
Kapitulli 5 – Prokurimi publik
Kapitulli 18 – Statistikat
Kapitulli 32 – Kontrolli financiar
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet me jashtë.
Konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE u mbajt më 19 korrik 2022, datë që shënoi hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Hapja e negociatave për Shqipërinë, erdhi 8 vite pas marrjes së statusit të vendit kandidat. Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi kandidatit për në BE në qershor 2014.