Komisioni Europian dënon protestuesit, hesht për dhunën e policisë

Komisioni Europian ka reaguar për protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë, me një deklaratë që ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si Brukseli po e trajton situatën.

Në deklaratën e tij, Komisioni Europian dënon zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike e private, por nuk përmend shprehimisht dhunën e raportuar të Policisë së Shtetit ndaj studentëve dhe protestuesve, përfshirë provat për keqtrajtim të të miturve dhe përdorimin e forcës së tepruar.

Komisioni Europian e nis deklaratën duke renditur aktet e dhunës dhe dëmtimet e pronës, ndërsa kufizohet në një referencë të përgjithshme për proporcionalitetin e reagimit ndaj tyre. Nuk ka një dënim të shprehur të dhunës policore.

“Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kufijve të ligjit dhe të jetë proporcional.”

Reagimi vazhdon me Brukselin që kërkon nxjerrjen përpara drejtësisë të përgjegjësve, por pa specifikuar nëse kjo thirrje përfshin edhe punonjësit e policisë të akuzuar për dhunë ndaj protestuesve.

“Përgjegjësit duhet të mbahen para drejtësisë, përmes një procesi të rregullt ligjor.”

Më pas Komisioni Europian kujton se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore europiane. Megjithatë, deklarata nuk përmban një kërkesë të drejtpërdrejtë për hetimin e denoncimeve për dhunë policore apo për mbrojtjen e të miturve të ndaluar.

“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.”

Por pjesa më e debatueshme e deklaratës është paragrafi i fundit, ku Komisioni Europian mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar të drejtën e protestës, pa adresuar konkretisht denoncimet për veprimet e policisë gjatë ditëve të fundit.

“Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të garantuar mbrojtjen e së drejtës për të protestuar. Në një vend kandidat që është plotësisht i angazhuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.”

Situata në Tiranë është në kaos, me policë të veshur si banditë që rrëmbejnë të mitur dhe studentë rrugëve.

Gjithashtu përdorimi i plumbave të gomës në protestat e fundit është raportuar edhe nga Reuters. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka trajtuar në jurisprudencën e saj përdorimin e këtyre mjeteve kundër protestuesve, duke theksuar rëndësinë e proporcionalitetit dhe hetimit efektiv të rasteve të dhunës. Kjo nuk përbën një ndalim kategorik të plumbave të gomës, por vendos kufizime të rëndësishme për përdorimin e tyre.

Pikërisht në këtë kontekst, deklarata e Komisionit Europian lë pa përgjigje një pyetje thelbësore. Përse Brukseli, ndërsa përmend konkretisht zjarrvëniet dhe dëmtimin e pronës, nuk adreson me të njëjtën qartësi akuzat për dhunën e ushtruar nga policia ndaj qytetarëve?

Për një institucion që e konsideron respektimin e të drejtave themelore dhe sundimin e ligjit si kushte të panegociueshme të integrimit europian, mungesa e një qëndrimi të shprehur për këto denoncime është një çështje që meriton shpjegim.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top