Mazhoranca ka rrëzuar në Konferencën e Kryetarëve dy kërkesa të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, që lidhen me kontratat e Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe funksionimin e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Deputetët e opozitës kërkuan ngritjen e një komisioni hetimor “për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar për realizimin e investimeve në infrastrukturën rrugore”.
Në një kërkesë të dytë, ata propozuan gjithashtu hetimin e ligjshmërisë së funksionimit të AKSHI-t, me fokus në sigurinë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, si dhe vlerësimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO.
Megjithatë, shumica argumentoi se këto çështje janë aktualisht nën hetim nga prokuroria dhe, për këtë arsye, nuk mund të trajtohen paralelisht në Parlament.
Bardhi i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë se e ka hedhur në erë Kushtetutën dhe për këtë iu dha të drejtë edhe Kushtetuesja me vendimin për ndryshimet në rregullore.
Sipas tij, duhet të pritet vendimi i zbardhur i gjykatës, ndërsa u shpreh se parlamenti nuk mund të jetë një tekë e mazhorancës.
“Me vetëdije ju e keni shkelur Kushtetutën. Dhe jo një herë, por dy herë. Me 8 me 0, Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në erë Kushtetutën. Pra, Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë për shkarkimin tuaj, por ju e keni rrëzuar atë me votë politike.
Prandaj, ndryshimet e rregullores nuk janë emergjente, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur ende vendimin. Pra, nuk ka çështje urgjente për ta trajtuar.
Po ju them: Gjykata Kushtetuese nuk e ka zbardhur vendimin. Prandaj, jua kërkoj me mirësjellje të bëheni garant i Kushtetutës. Parlamenti nuk mund të jetë tekë”, ka thënë Bardhi.