Ukraina po hyn në dimrin më të rrezikshëm që prej ditëve të para të pushtimit, kur kolonat ruse po i afroheshin Kievit dhe e ardhmja e vendit varej te rezistenca e popullit dhe disa mijëra raketa anti-tank të dhuruara nga Britania. Atëherë heroizmi, vendosmëria e Zelenskyt dhe paaftësia taktike e ushtrisë ruse e ndalën katastrofën. Sot, heroizmi mund të mos mjaftojë.
Përballë Ukrainës ndodhen tre kriza të mëdha që e bëjnë këtë dimër më të rëndë se të gjithë të mëparshmit. Dhe ajo që e bën situatën edhe më të rrezikshme është fakti se fati i Kievit nuk është më vetëm në duart e tij, por varet nga vullneti i aleatëve perëndimorë.
Sfida e parë është financiare. Nëse nuk zgjidhet ngërçi diplomatik me Belgjikën, Ukraina do të mbetet pa para në shkurt të vitit 2026. Brukseli ka bllokuar planin e gjerë për një hua prej 140 miliardë eurosh të mbështetur te asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse. Belgjika dhe së fundi edhe kryeministri sllovak Robert Fico refuzojnë, nga frika e padive dhe nga frika se Moska do të përdorë hakmarrjen ekonomike. Pa këtë skemë, Bashkimi Europian nuk ka alternativa reale për të mbështetur Ukrainën, aq më tepër që SHBA, nën administratën Trump, ka ndërprerë ndihmën financiare.
Situatën e komplikon edhe më shumë fakti se në Kiev po shpërthejnë hetime korrupsioni në nivele të larta. Një bashkëpunëtor i afërt i Zelenskyt është arratisur nga vendi, ndërsa hetimet në Ministrinë e Mbrojtjes për kontrata të fryra pritet të intensifikohen. Sipas zyrtarëve ukrainas, kjo po përdoret nga kundërshtarët e Kievit në Europën Qendrore dhe nga politikanët pro-Trump si argument kundër vazhdimit të ndihmës. Zyrtarët europianë besojnë se Perëndimi nuk do ta braktisë Ukrainën, “është shumë e madhe për të dështuar”, por presin një presion të ashpër nga Brukseli për reforma të thella.
Kriza e dytë është në front. Ukraina është në prag të humbjes së Pokrovskut, një nyje jetike logjistike. Nëse qyteti bie, Rusia merr iniciativën në rajonin e Donetskut dhe hap portat drejt Kramatorskut dhe Slovianskut. Shumë kritikë në Kiev thonë hapur se komanda ushtarake bëri gabime taktike, duke rënë pre e një mashtrimi rus në gusht dhe duke zhvendosur forcat në momentin e gabuar. Ndërkohë, epërsia numerike e trupave ruse në disa segmente të vijës së frontit arrin raportin 10 me 1, një avantazh vendimtar në luftimet urbane ku dronët nuk mjaftojnë.
Krizës financiare dhe atyre në fushëbetejë i shtohet edhe përplasja më e rëndë e këtij dimri: lufta energjetike. Rusia nuk po sulmon më vetëm rrjetin elektrik, por edhe infrastrukturën e gazit, nga i cili varen për ngrohje rreth 60% e ukrainasve. Sulmet e tetorit shkatërruan deri një të tretën e prodhimit vendas të gazit, ndërsa dhjetëra goditje të reja kanë vënë në shënjestër impiantet e nxjerrjes dhe depozitimit. Sulmi masiv i fundjavës e la një pjesë të madhe të vendit pa drita dhe pa ngrohje. Ish-ministrja e energjisë, Olga Bohuslavets, paralajmëron se “ky dimër do të jetë më i vështirë se të gjithë të tjerët.”
Ukraina po hyn në muajt vendimtarë të luftës. Nëse aleatët nuk lëvizin, nëse Pokrovsku bie, dhe nëse rrjeti energjetik dështon, vendi mund të gjendet i detyruar të pranojë një marrëveshje paqeje të keqe, të imponuar nga mungesa e parave, mungesa e forcës dhe mungesa e ngrohjes.
Dimri është vetëm një muaj larg. Pyetja e vërtetë është: a do të dalë Ukraina nga ky dimër mjaftueshëm e fortë për të mos u detyruar të dorëzohet?
Përshtatur nga analiza e Jamie Dettmer për Politico,
*Jamie Dettmer është redaktor opinionesh dhe kolumnist i çështjeve të jashtme në POLITICO Europe.