Kombëtarja e Kosovës nga ora 20:45 pret në Fadil Vokrri kombëtaren sllovene, me shpresë të tri pikëve dhe forcimit të mëtejmë të pozitës së dytë në grupin kualifikues.
Pas fitores së madhe kundër Suedisë në Prishtinë i dha shpresa Kosovës që mund të bëjë diçka të jashtëzakonshme, pasi humbja në ndeshjen e parë kundër Zvicrës ishte zhgënjyese.
Në këtë ndeshje, Kosova hyn me 3 pikë, ndërsa Sllovenia me 1. Nëse kombëtarja jonë fiton, atëherë Kosova shkon javën tjetër në Suedi me 6 pikë në grup, aq sa ka Zvicra për momentin.
Sigurisht se sonte nuk do të jetë ndeshje e lehtë kundër Sllovenisë, sidomos me sulmuesin e Manchester United, Benjamin Sesko, i cili është në formë. Por, Kosova do të ketë mundësinë e artë t’i afrohet Botërorit të vitit 2026.