Kombëtarja shqiptare ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në Nations League ndaj Çekisë (Epet Arena, 11 tetor, ora 20:45) dhe Gjeorgjisë (“Mikheil Meskhi” 14 tetor, ora 18:00). Kuqezinjtë zbritën në fushë pasditen e sotme, teksa seanca stërvitore nisi në orën 16:00 dhe zgjati rreth 1 orë e 30 minuta. Sidoqoftë, tekniku Sylvinho ka patur vetëm 20 lojtarë në dispozicion dhe grupi do të kompletohet nesër.
Lojtarët prezentë në seancën e sotme stërvitore ishin: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Enea Mihaj, Mario Mitaj, Arlind Ajeti, Andi Hadroj, Adrion Pajaziti, Ylber Ramadani, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Taulant Seferi, Marash Kumbulla, Myrto Uzuni, Adrian Ismajli, Mirlind Daku, Kristjan Asllani, Amir Abrashi, Jasir Asani dhe Ernest Muçi. Në mbrëmje me grupin do të bashkohen edhe Arbër Hoxha, Qazim Laçi dhe Nedim Bajrami.
Lexo më tej: Sylvinho blindon strategjitë, asnjë stërvitje e hapur: evitohet seanca zyrtare në Pragë ka një plus në Gjeorgji
Trajneri Sylvinho dhe stafi i tij teknik kanë punuar më shumë në “Shtëpinë së Futbollit” me ata lojtarë, të cilët kanë mbërritur në grumbullim më herët, pasi përfunduan impenjimet me klubet e tyre. Nga ana tjetër, lojtarët që kanë mbërritur ditën e sotme kanë marrë ngarkesë të lehtë stërvitore. Grupi ka punuar fillimisht në palestër për të kaluar më pas në fushë, ku është punuar më shumë me topin. Në fund, kuqezinjtë kanë zhvilluar edhe një test miqësor, ku të përfshirë ishin edhe disa lojtarë nga ekipi U-21 dhe U-19.
️ Djemtë tanë kanë zbritur në fushë në prag të ndeshjeve kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë
ℹ️ Grupi plotësohet sonte, pasi pritet të mbërrijnë edhe Arbër Hoxha, Qazim Laçi e Nedim Bajrami. #nationsleague #CZEALB #GEOALB #kombetarja pic.twitter.com/LkxgrzCHTm
— FSHF (@FSHForg) October 7, 2024