Kolegjet e Bashkuara janë thirrur nga kryetari i Gjykatës së Lartë për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj. Thirrja e mbledhjes, që bazohet në tre vendime të Gjykatës së Strasburgut, vjen në një kohë kur shumica socialiste dhe kryeministri po denoncojnë mbipopullimin e qelive, një “shqetësim” që për ta lindi vetëm pas kërkesave të SPAK-ut për zyrtarë të lartë.
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Vladimir Karaj, BIRN
Kryetari i Gjykatës së Lartë ka thirrur të hënën një mbledhje të Kolegjeve të Bashkuara për të shqyrtuar ndryshimin e mundshëm të praktikës së unifikuar të vitit 2011, e cila ka shërbyer për më shumë se një dekadë në caktimin e masës së sigurisë së “arrestit në burg”.
Përmes një vendimi të ndërmjetëm të kryetarit Sokol Sadushi, mbledhja e Kolegjeve të Bashkuara kërkohet për të riparë nëse vendimi i unifikuar i vitit 2011 qëndron para ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale dhe për të zbatuar vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Vendimi i ndërmjetëm kërkon interpretim të ri të neneve 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), duke analizuar konkretisht tre pyetje që kanë të bëjnë me përcaktimin e rrezikshmërisë, kur duhet të merren parasysh masat alternative dhe si duhet të vlerësohet rreziku i prishjes së provave.
“Kjo nismë ka për qëllim garantimin e një praktike gjyqësore të njëtrajtshme, të kontrollueshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, ligjore dhe konventore që rregullojnë kufizimin e lirisë personale. Në këtë mënyrë synohet që praktika gjyqësore të mbetet në përputhje të plotë me kuadrin aktual ligjor dhe me standardet kushtetuese e konventore që rregullojnë kufizimin e lirisë personale”, thuhet në vendimin e ndërmjetëm.
Vendimi u referohet çështjeve ndaj tre personave për të cilat ka vendime të GJEDNJ-së, ku vihet në diskutim kohëzgjatja e paraburgimit, edhe kur prokuroria nuk sjell prova të reja se pse duhet të zgjatet masa dhe pse nuk ka masa të tjera të përshtatshme.
“Në përmbledhje, jurisprudenca e GJEDNJ-së në çështjet Hysa, Gëllçi dhe Muçaj imponon këto teza themelore: (i) dyshimi i arsyeshëm nuk mjafton, i vetëm, për vijimin e paraburgimit; (ii) rreziku duhet të jetë konkret, i individualizuar dhe i provueshëm; (iii) rëndësia abstrakte e veprës nuk justifikon, më vete, burgimin; (iv) masat alternative duhet të shqyrtohen realisht dhe jo formalisht; (v) barra e justifikimit mbetet mbi autoritetet për çdo periudhë kufizimi të lirisë; dhe (vi) justifikimi i paraburgimit duhet të ruajë aktualitet, proporcionalitet dhe kontrollueshmëri në kohë”, thuhet në vendimin e ndërmjetëm që do të diskutohet nga Kolegjet e Bashkuara më 9 prill.
Kjo lëvizje juridike vjen në një moment kur paraburgimi është bërë pjesë e debatit politik. Nisma e gjykatës përkon me një fushatë të re të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama kundër numrit të lartë të paraburgimeve, një fushatë që, sipas ekspertëve të drejtësisë, nuk buron nga shqetësimi për të drejtat e njeriut, por nga frika e goditjeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në radhët e qeverisë.
Drejtues të opozitës nuk vonuan të kritikonin nismën. Gazmend Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, akuzoi të martën se “Rama po përdor Gjykatën e Lartë për të zhbërë praktikën 15-vjeçare”.
Kryeministri vetë ka qenë kontradiktor në qëndrime. Në një anë ai ka sulmuar SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme për masat e sigurimit ndaj personazheve politike dhe ka ndërmarrë veprime bllokuese, si në rastin e kërkesës së SPAK-ut ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, dhe nga ana tjetër ka sulmuar gjykatat për ndjekje në gjendje të lirë të protestuesve të opozitës, të dyshuar për akte dhune në protestat e javëve të fundit.
Por ekspertët vënë në dukje se paraburgimi është një problem i sistemit të drejtësisë, i lidhur me një sërë faktorësh dhe kryesisht me politikat represive penale të imponuara nga shumica qeverisëse.
Statistikat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve vizatojnë një tablo të zymtë. Deri në dhjetor 2025, në Shqipëri numëroheshin 4503 persona pas hekurave, nga të cilët 2569 (ose 57%) ishin të paraburgosur në pritje të gjykimit. Kjo përkthehet në rreth 94 të paraburgosur për 100 mijë banorë, një shifër që e mban Shqipërinë në majat e klasifikimeve evropiane dhe ka nxitur Këshillin e Evropës të kërkojë urgjentisht rishikimin e politikave të paraburgimit. Vetëm 1% e të paraburgosurve i përkasin zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion apo abuzim me detyrën./Reporter.al