Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, teka mandati i Olsian Çelës pritet të mbaroj në dhjetor të këtij viti.
KLP ka vendosur gjithashtu një afat deri në 30 ditë ndaj kandidatëve, për të dorëzuar dokumentet dhe aplikimet për këtë garë dhe për të fituar postin e lartë të kryeprokurorit.
Sipas ligjit, Prokurori i Përgjithshëm ushtron detyrën për një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte:
– Të kenë 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur
– Të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të kenë gradë shkencore në drejtësi
– Të mos kenë mbushur moshën e daljes në pension sipas nenit 64, pika 3, të ligjit nr. 96/2016
– Të mos kenë mbajtur, gjatë 10 viteve të fundit, funksione politike në administratën publike
– Të mos kenë mbajtur, gjatë 10 viteve të fundit, pozicione drejtuese në partitë politike
Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para datës 2 korrik 1991
– Të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale
– Të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës
– Të mos kenë masë disiplinore në fuqi
Pas përfundimit të afatit të aplikimit, Këshilli do të vijojë me verifikimin e dokumentacionit, vlerësimin e kandidatëve dhe zhvillimin e procedurave të mëtejshme të përzgjedhjes, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren përkatëse.