Ka një dilemë se si do të sillet Rama dhe Partia Socialiste në momentin më të keq deri tani të Erjon Veliajt, që ka të bëjë me arrestimin e miqve të tij, protestën e opozitës dhe thirrjen e tij në SPAK për hetimet e inceneratorit. Deri tani Rama ka lëshuar mesazhin e zakonshëm që “SPAK t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit”, ndërsa deputetët e tjerë kanë heshtur, duke e parë si spektatorë të largët këtë që po ndodh me kryebashkiakun e Tiranës.
Me “asnjë shqetësim” e kanë komentuar edhe Blendi Klosi dhe Elisa Spiropali këtë që po ndodh në Tiranë, pas një vizite të kryeministrit Rama në Shkodër. Ndërsa flisnin për gazetarët, dy deputetët e PS thanë se kjo që po ndodh është arsyeja se pse Partia Socialiste e bëri drejtësinë e re.
Pyetje: SPAK po troket në dyert e PS dhe tashmë i është afruar goxha kupolës, i radhës në dyert e SPAK është Erion Veliaj i cili qëndroi më shumë se 6 orë në Prokurorinë e Posaçme, ju shqetëson?
Klosi: SPAK-u apo e gjithë drejtësia e re është një strukturë e ndërtuar me vullnetin dhe me votat e partisë socialiste, një drejtësi e re e cila këtë do të duhet që ta arrinte në sytë e opinionit publik pra të gjykojë çdo rast në të cilën gjykohet se ka nevojë për t’u analizuar, studiuar, verifikuar e pastaj për t’u gjykuar. Pra nuk kemi asnjë shqetësim për sa i përket asaj çfarë qytetarët duan në fakt në vendin tone, të ketë një drejtësi e cila parimin e parë ka pandëshkueshmërinë. Pra, ne do të jemi të hapur dhe nuk do të gjykojmë dhe nuk do të komentojmë asnjë veprim të drejtësisë së re.
Pyetje: Fakti që Veliaj shkoi në SPAK a është një tronditje për PS sepse është kryetari i bashkisë më të rëndësishme në Shqipëri?
Klosi: Besoj e dhashë shpjegimin, e kam dhënë shpesh, nuk e kam problem që ta përsëris, ne kemi marrë tashmë një vendim për të mos komentuar asnjë veprim të drejtësisë së re. E kemi ngritur këtë drejtësi të re me parimin e parë që politika të mos ndërhyjë në vendimarrjen e saj.