Sekuestrimi i vilës luksoze të Belinda Ballukut në Dhërmi nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ndezur debate në seancën e sotme parlamentare. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur nga foltorja e Kuvendit duke treguar me foto se ku ndodhet vila e ish-zv.kryeministres, ndërsa ka lëshuar akuza edhe ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj.
Bardhi u është drejtuar deputetëve të mazhorancës socialiste me një gjuhë të ashpër, duke u kujtuar se pak kohë më parë përdorën kartonët në Parlament për të mbrojtur Ballukun nga prangat, ndërsa tani pozita e saj është rënduar me dy akuza të reja.
Kreu i deputetëve demokratë akuzoi hapur mazhorancën se është bërë mburojë e korrupsionit qeveritar, duke treguar detaje nga pasuria e sekuestruar në jug të vendit.
“Një pjesë e mirë prej jush nuk i kanë parë as në ëndërr, ndërsa Belinda e merr shpërblim vetëm në një tender! Bëni mirë që ulni kokën sepse duhet të ndiheni të turpëruar, sepse me kartonin tuaj mbrojtët një prej këtyre vilave. Në fakt ka dy këtu, ka edhe një vilë për stafin që e ftonte herë pas here,” deklaroi Bardhi teksa mbante fotot në duar.
Gjatë fjalës së tij, Bardhi ka përmendur edhe ministrin aktual të Financave, Petrit Malaj, duke thënë se ai ka qenë pjesë e rrethi që frekuentonte vilën e mbyllur nga SPAK.
“Ky i Financave është nga frekuentuesit më të mëdhenj të festave që organizonte Balluku me stafin dhe vilën në dispozicion për to,” tha Bardhi.
Në mbyllje të fjalimit të tij, Bardhi përshëndeti punën e Prokurorisë së Posaçme, por i bëri thirrje asaj që të mos ndalet dhe të sjellë menjëherë zyrtarisht në Kuvend kërkesën për prangosjen e numrit dy të qeverisë.
“Besoj se prokuroria ka nisur një punë të mirë dhe e nxis të vijojë e palëkundur hetimet. Sigurisht, për shkak të akuzave të reja që ka ngritur, rezulton se pozitat e zonjës janë rënduar dhe me urgjencë duhet të sjellë kërkesën për heqjen e imunitetit dhe kërkesën për arrestimin e zv.kryeministres tuaj. Duhet t’u kërkoni ndjesë shqiptarëve që duan luftë reale ndaj korrupsionit dhe jo tallje me votë parlamentare për të mbrojtur korrupsionin”, u shpreh ai.