Kim K në telashe ligjore: padi e re për shkelje të markës tregtare

Kim Kardashian po përballet me një padi të re ligjore, pasi marka e saj e veshjeve Skims akuzohet për shkelje të markës tregtare nga një dizenjuese në Nju Jork.

Sipas dokumenteve të siguruara nga mediat, kompania e Kardashian është paditur për përdorimin e emrit “Fits Everybody” për një nga koleksionet e saj më të shitura. Padia është ngritur nga marka “Fits Everybody To A T”, në pronësi të sipërmarrëses Denise Cesare, e cila pretendon se e përdor këtë emër prej gati një dekade.

Në padinë prej 43 faqesh, e depozituar më 31 mars në Gjykatën Federale të Distriktit Jugor të Nju Jorkut, thuhet se Skims ka vijuar me lançimin e koleksionit edhe pasi kishte marrë “njoftime të përsëritura dhe të qarta” për të drejtat ekzistuese të markës.

Avokatët e Cesare pretendojnë se Skims ka marrë një “vendim të qëllimshëm”, duke u mbështetur në fuqinë e saj financiare, lidhjet me figura të njohura dhe makinerinë e marketingut për të “shtypur” një biznes të vogël dhe të vetëfinancuar.

Sipas padisë, përdorimi i emrit “Fits Everybody” krijon konfuzion te konsumatorët dhe rrezikon të zhdukë identitetin e markës më të vogël, e cila tashmë është bërë “praktikisht e padukshme” në rezultatet e kërkimit online.

Marka Skims, e themeluar në vitin 2019 nga Kardashian, vlerësohet në rreth 5 miliardë dollarë, ndërsa biznesi i Cesare operon prej afro 10 vitesh. Paditësja kërkon që gjykata të ndalojë menjëherë përdorimin e emrit nga Skims, si dhe kompensim financiar, përfshirë kostot ligjore dhe fitimet e realizuara.

Avokatja e saj theksoi se ligji për markat tregtare nuk ndikohet nga fama apo ndjekësit në rrjetet sociale, por nga fakti se kush e ka përdorur i pari emrin.

Ndërkohë, Zyra Amerikane e Patentave dhe Markave Tregtare (USPTO) raportohet se ka refuzuar më herët regjistrimin e emrit nga Skims për shkak të “mundësisë së konfuzionit” me markën ekzistuese.

Deri tani, përfaqësuesit e Kim Kardashian dhe Denise Cesare nuk kanë reaguar publikisht ndaj çështjes.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top